Lidhje

Shën Petersburgu kundër homoseksualëve


Rusia është bërë objekt i kritikave të aktivistëve të të drejtave të homoseksualëve në të gjithë botën për ligjin e saj të ri që ndalon atë që e cilëson si “propagandë e homoseksualizmit”. Shën Peterburgu është vendi ku nisi reagimi i Rusisë kundër të drejtave të homoseksualëve.

Në Shën Petersburg, Kirill Kalugin, një aktivist homoseksual, vuri në provë ndalimin e mitingjeve të homoseksualëve nga ana e Rusisë. Ai zgjodhi ditën kombëtare të trupave parashutiste – përballë muzeut me famë botërore Hermitazh.

"Në përgjithësi, të jesh homoseksual haptazi në Rusi nuk është shumë e sigurt, por kur je aktivist, mësohesh me ndjenjën e pasigurisë."

Zoti Kalugin protestoi ndaj ligjit të ri të Rusisë i cili ndalon atë që ajo e quan “propagandë e homoseksualizmit”. Pak më tej, në Kuvendin e Shën Petersburgut, Vitali Milonov thotë se aktivisti Kalugin thjesht kërkon publicitet. Zoti Milonov shkroi ligjin e parë për ndalimin e të ashtuquajturës “propaganda e homoseksualizmit” në Rusi. Tani ai drejton lëvizjen ruse kundër të drejtave të homoseksualëve.

"Ne nuk kemi autoritet të mjaftueshëm për ta quajtur një çift të të njëjtit seks familje. Familja është një burrë dhe një grua, e ka thënë Zoti. Shoqëria e parë ekziston prej dy individëve Adami dhe Eva, ajo ishte familja e parë."

Larg protestave, Alla Kuzmina, një studente e degës së biznesit në Shën Petersburgut, thotë se rusët janë kundër paradave për të drejtat e homoseksualëve - si kjo e zhvilluar në Amsterdam.

"Nëse dëshiron të jesh homoseksual, ji homoseksual. Por jo duke ecur me veshje të pahijshme përpara dritares sime, ku fëmija im 5-vjeçar është duke parë jashtë."

Kjo protestë në Londër është pjesë e një lëvizje në Perëndim për bojkotimin e Lojërave Olimpike Dimërore të shkurtit në Soçi, të Rusisë. Lilia Shevtsova e Qendrës Carnegie në Moskë, thotë se Kremlini e nënvlerësoi ndikimin e çështjes së të drejtave të homoseksualëve.

"Kjo sepse ata nuk mundën të kuptonin se ky ligj i Dumës do të krijonte një skandal kaq të madh jashtë vendit, një valë kaq të fuqishme ragimesh në botën perëndimore."

Presidenti rus Vladimir Putin e minimizoi polemikën në një intervistë në fillim të shtatorit.

"Të gjithë mund të jenë absolutisht të sigurt se Rusia do t’i përmbahet me besnikëri parimeve të Olimpizmit, të cilat nuk pranojnë asnjë lloj diskriminimi, kombëtar, gjinor apo seksual, që ju përmendët."

Por Kirill Kalugin thotë se kjo deklaratë është për të huajt.

"Ky diskriminim ekziston këtu. Ne kemi probleme të mëdha me të drejtat e njeriut në Rusi dhe mendoj se për sa kohë që Putini është në pushtet, ky problem nuk do të zgjidhet."

Kur Presidenti amerikan Barak Obama vizitoi Shën Petersburgun në fillim të shtatorit, ai u takua me aktivistë homoseksualë dhe të komuniteteve. Midis tyre ishte Olga Lenkova, e cila punon me grupin për të drejtat e homoseksualëve “Vykhod” ose “Duke dalë haptazi”.

"Folëm në lidhje me abuzimet e të drejtave të njeriut kundër personave LGBT. Folëm për faktin se krimet kundër tyre nuk po hetohen dhe nuk po ndiqen penalisht. I sugjeruam Presidentit Obama që këto çështje të jenë çështje të interesit ndërkombëtar."

Pak orë më parë atë ditë, protestues për të drejtat e homoseksualëve dhe kundërshtarët e tyre të krishterë ortodoksë shkëmbyen parulla në një park të Shën Petersburgut. Tre muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon “propagandën e homoseksualizmit” debati duket se sapo ka filluar - brenda Rusisë dhe jashtë saj.
XS
SM
MD
LG