Lidhje

Sochi frymëzim për një jetë të shëndetshme


Organizatorët e Lojërave Olimpike në Soçi shpresojnë se këto Olimpike do t’i frymëzojnë rusët të bëjnë një jetë më të shëndetshme. Ndryshimi do të ishte më se i mirëpritur në këtë vend që ka ritme të larta vdekjesh të parakohëshme nga të ashtu-quajturit faktorë të mënyrës së jetesës. Shifrat zyrtare tregojnë se 400 mijë vetë vdesin çdo vit nga sëmundje që lidhen me duhanin, ndërkohë që ka shqetësime të shumta nga konsumi i lartë i alkoolit.

Soçi po përpiqet të prezantojë imazhin e një jete të shëndetshme; në 2010 autoritetet miratuan ndalimin e duhanit.

Por një shëtitje në rrugët e qytetit bregdetar lë të kuptosh se mbetet ende punë për të bërë. Në stolat e parqeve, shumica e njerëzve, në pjesën dërrmuese burra, vazhdojnë të tymosin dhe nganjëherë gëlltisin diçka nga shishe të futura në qese letre.

Në Rusi, rreth 60 për qind e burave dhe 25 e grave pinë duhan. Studimet tregojnë gjithashtu se një në tetë vdekje ka lidhje me konsumin e alkoolit, veçanërisht vodkës.
Andrei Prokopyev i cili ndihmon vullnetarisht me operacionet për Olimpiket, shpreson të ndihmojë për gjetjen e një zgjidhjeje. Ai ka ngritur një stendë të quajtur “Ekspozitë Shëndeti” në qendër të Soçit.

"Në Rusi kemi probleme të ndryshme. Disa lidhen me sëmundje që ndeshen kudo në botë. Por pjesa më e madhe e problemeve lidhen me duhanin, alkoolin dhe vese të tjera”.

Specialistët masin tetë faktorë bazë të shëndetit, nga tensioni i gjakut tek forca e shtrëngimit të dorës, të cilat përdoren për të identifikuar “moshën biologjike”, apo moshën e vërtetë të bazuar në gjendjen e organizimit.

Galina, e veshur me një peliçe elegante, sapo ka mësuar se është mbipeshë. Ajo është 62 vjeçe, por specialisti e informon se mosha e saj biologjike është 69 vjeç.

"U mërzita pak, pasi e kam moshën biologjike më të lartë se moshën reale. Por mendoj se ia vlen të këshillohesh, pasi mora mësime të mira për të bërë një jetë më të shëndetshme”.
Shumë njerëz që vijnë këtu thonë se janë frymëzuar nga Lojërat Olimpike dhe duan të bëjnë një jetë të shëndetshme, në shembullin e heronjve olimpikë rusë.

Konstantin Kaznov po ashtu informohet se është mbi peshë. Ai buzëqesh duke zbuluar dhëmbët me mbushje ari dhe pohon se nuk ka bërë jetë të shëndetshme.

Ai thotë se po kënaqet me Olimpiket dhe do të donte të bënte një jetë më të shëndetshme, pasi do t’u përngjajë konkurrentëve olimpikë.

Në Parkun Olimpik nuk lejohet duhani, përveçse në zona të caktuara. Në qershor një ligj i ri do të hyjë në fuqi në të gjithë Rusinë për të ndaluar duhanin në klube, restorante dhe dyqane. Qeveria ka rritur edhe çmimin e vodkës në përpjekje për të luftuar alkoolizmin.

Andrei Prokopyev është optimist.

"Olimpiket janë një fillim i ri për shumë njerëz, si për të ndalur duhanin, ashtu edhe për të menduar për shëndetin”.

Mbetet një rrugë e gjatë përpara, por vullnetarët në Soçi besojnë se Olimpiket Dimërore mund të frymëzojnë shumë rusë të përqafojnë një stil më të shëndetshëm jetese.
XS
SM
MD
LG