Lidhje

Rusia kërkon të rrisë nivelin e marrëdhënieve me Kinën

  • Xhejms Bruks

Rusia kërkon të rrisë nivelin e marrëdhënieve me Kinën

Rusia kërkon të rrisë nivelin e marrëdhënieve me Kinën

Kryeministri rus Vladimir Putin zgjodhi Kinën për udhëtimin e tij të parë zyrtar, pas shpalljes së planit për të udhëhequr Rusinë në dekadën e ardhshme. James Brooke, i Zërit të Amerkës, njofton nga Moska.

Kina ka kaluar tashmë Gjermaninë, dhe është partneri tregëtar më i rëndësishëm i Rusisë. Tregëtia midis dy vendeve është rritur me 55 përqind këtë vit dhe mund të trefishohet në fundin e këtij dhjetëvjeçari deri në 200 miliardë dollarë. Prandaj Kryeministri Putin vizitoi Pekinin për të forcuar marrëdhënien dypalëshe më të rëndësishme të vendit të tij.

Udhëheqësi rus foli mbi mundësitë për projekte të përbashkëta në fusha me teknologji të avancuar si hapësira, mjekësia, ndërtimi i avionëve dhe bioteknologjia. Por pas udhëtimit dy ditor, marrëveshja më e rëndësishme ishte një investim kinez prej 1.5 miliardë dollarësh në një uzinë për shkrirjen e aluminit në Siberi.

Frika në rritje e Rusisë është shndërrimi i saj thjesht në një burim të leverdisshëm për gaz, naftë, minerale, dru dhe lëndë të tjera të para për Kinën, ashtu siç është Kandaja për Shtetet e Bashkuara.

Gjatë dekadës së parë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, një pjesë e madhe e eksporteve ruse drejt Kinës ishin me teknologji të avancuar, kryesisht avionë ushtarakë dhe sisteme raketash. Por, gjithmonë e më tepër, Rusia po ankohet se Kina po kopjon avionët e saj ushtarakë Sukhoi dhe teknologji të tjera ushtarake të avancuara. Javën e kaluar, agjencia pasardhëse e KGB-së arrestoi një shtetas kinez nën akuzën se tentoi të blinte kopjen e projektit të çmuar rus të sistemit të raketave tokë-qiell, S-300, me rreze të gjatë veprimi.

Linda Jakobson është një nga autoret kryesore të një raporti të ri mbi marrëdhëniet Rusi-Kinë për Institutin e Kërkimeve të Paqes Ndërkombëtare në Stokolm.

“Shitjet e armëve në pesë vitet e fundit kanë pësuar rënie të ndjeshme. Arsyeja është se kinezët kanë blerë pak a shumë gjithçka që rusët mund të shisnin.”

Një aspekt tjetër i marrëdhënieve Rusi-Kinë ishte shitja e energjisë. Por edhe aty Rusia ka humbur epërsinë.

Për 16 vjet, Rusia dhe Kina kanë diskutuar ndërtimin e dy rrugëkalimeve të gazit nga Siberia për në Kinë. Ndërkohë që rusët debatonin mbi çmimin herë pas here, Kina ndërtoi një rrugëkalim gazi që shkon nga Turkmenistani, në Azinë qëndrore, deri në Kinë.

Zonja Jakobson flet nga Sidney, ku ajo drejton Departamentin e Azisë Lindore në Institutin Lowy.

“Mundësitë për një bashkëpunim vërtet domethënës midis Rusisë dhe Kinës në fushën e gazit ekzistonin kur ata filluan negociatat mbi ndërtimin e dy linjave të transportit të gazit natyror nga njëri vend tek tjetri, 16 vjet më parë. Tani, në atë sektor, ashtu si edhe në sektorin e naftës Kina ka bërë përpjekje të mëdha për të gjetur alternativa të tjera.”

Rusia, prodhuesi më i madh i naftës në botë, ka menduar gjithmonë se Kina do të varej prej saj. Por ndërkohë që ata debatonin mbi çmimet, Kina ka gjetur furnizues të tjerë.

Anatol Lieven është profesor në Universitetin King’s College të Londrës.

“Rusia nuk është furnizuesi kryesor i Kinës, edhe pse është një fuernizues i rëndësishëm i saj. Rusia ende eksporton në Kinë të njëjtën sasi energjie me Iranin.”

Nëse rrugëkalimet detare për në Kinë bëhen të pasigurta, Rusia do të rifitonte epërsinë. Por, për momentin, nuk është kështu:

“Rusia është vetëm furnizuesi i pestë i naftës së papërpunuar në Kinë. Kjo sepse Kina ka patur sukses në gjetjen e furnizuesve të tjerë.”

Zoti Lieven thotë se Kina është zhvilluar kaq shumë e kaq shpejt saqë Rusia nuk do të guxonte të bashkohej në një aleancë me NATO-n apo me Shtetet e Bashkuara. Ai parashikon se Rusia do të vazhdojë të ruajë pavarësinë nga Kina duke shmangur konflikte të panevojshme me Uashingtonin.

Zonja Jakobson, e cila ka qëndruar për më tepër se 20 vjet në Pekin, tha se ishte habitur se sa shumë kinezë e përbuzin Rusinë. Ajo mbante mend intervistën që kishte realizuar me një ekspert kinez të shkencave politike. Ai kishte pranuar se Kina mund edhe të mos i pëlqejë Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, por ka gjëra që Kina mund të mësojë prej këtyre dy vendeve. Megjithatë, ai ishte përçmues ndaj Rusisë.

“Rusia? Çfarë mund të mësojmë ne prej Rusisë?” ishte përgjigja e tij. Dhe ky qëndrim mospërfillës, pothuajse autoritar ndaj Rusisë, i cili është në rritje në Kinë, tregon më së miri ndryshimin e konsideratës së Kinës për Rusinë.”

Ndërkohë që Kryeministri Putin planifikon dekadën që e pret, padyshim ai e sheh zhvillimin e shpejtë të Kinës si një sfidë të madhe për Rusinë.

XS
SM
MD
LG