Lidhje

Rusia, Kina përurojnë hapjen e pjesës kineze të naftësjellësit të parë mes tyre


Rusia, Kina përurojnë hapjen e pjesës kineze të naftësjellësit të parë mes tyre
Rusia, Kina përurojnë hapjen e pjesës kineze të naftësjellësit të parë mes tyre

Udhëheqësit e Rusisë dhe Kinës përuruan hapjen e pjesës kineze të naftësjellësit të parë mes dy vendeve. Presidenti rus, Dmitri Medvedev dhe ai kinez, Hu Gjin Tao, morën pjesë sot në Pekin në ceremoninë për naftësjellësin Siberi Lindore-Paqësor i cili pritet të fillojë nga puna në muajin nëntor. Dy udhëheqësit nënshkruan gjithashtu marrëveshje për luftën kundër separatizmit dhe ekstremizmit si dhe për bashkëpunimin në fushën e energjisë, të tregtisë dhe investimeve.

Rusia dhe Kina thyen sot akullin në marrëdhëniet e tyre në fushën e energjisë të cilat prej kohësh kanë qenë të ftohta. Me marrëveshjen e re, nafta do të rrjedhë nga Siberia drejt Kinës ndërkohë që një marrëveshje e ngjashme për gazin natyror duket më e largët.

Presidenti Dmitry Medvedev dhe homologu i tij kinez, Hu Gjin Tao morën pjesë në ceremoninë për pjesën kineze të naftësjellësit ESPO, i cili duke filluar nga 1 janari do të sjellë drejt Kinës 300 mijë fuçi nafte në ditë.

Pjesa kineze përfshihet në fakt në një projekt akoma më të madh i cili synon që një ditë nafta ruse të transportohet në Oqeanin Paqësor, çka shihet si një përpjekje e Rusisë për të kundërbalancuar Kinën me blerës të tjerë si Japonia.

"Dy palët shprehën gatishmërinë të thellojnë veprimet strategjike në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, të ruajnë balancën dhe stabilitetin e strategjisë ndërkombëtare si dhe të nxisin rimëkëmbjen e plotë nga kriza ekonomike globale,” tha Presidenti Hu pas ceremonisë së nënshkrimit.

Presidenti Medvedev u bëri jehonë fjalëve të homologut të tij.

"Ne diskutuam për çështje ndërkombëtare dhe në këtë suazë, Rusia dhe Kina po ruajnë partneritetin strategjik që kanë zgjedhur vetë. Kjo i ndihmon dy vendet tona t’u përshtaten më lehtë ndryshimeve gjeopolitike që vazhdojnë të ndodhin," tha zoti Medvedev.

Zyrtarët rusë thonë se dy vendet shpresojnë që vitin e ardhshëm të bien dakord edhe për eksportimin e gazit natyror nga Rusia drejt Kinës. Sipas planit, eksportet mund të fillojnë nga viti 2015. Zoti Medvedev ndodhet në Kinë për një vizitë triditëshe e cila filloi dje.

XS
SM
MD
LG