Lidhje

Rusia mban të ndaluar të paktën 250 protestues, SHBA kritikon zgjedhjet


Rusia mban të ndaluar të paktën 250 protestues, SHBA kritikon zgjedhjet
Rusia mban të ndaluar të paktën 250 protestues, SHBA kritikon zgjedhjet

Autoritetet ruse patrulluan sot qendrën e Moskës në përpjekje për të parandaluar protesta të tjera, një ditë pasi mijra njerëz demonstruan për të denoncuar zgjedhjet, që ata thonë se ishin të manipuluara, ndërsa Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton kritikoi përsëri Moskën për zgjedhjet parlamentare për të cilat ajo tha se nuk ishin as të lira dhe as të drejta.

Duke folur para Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë sot, Sekretarja Clinton përmendi “shqetësime serioze” për votimet e së dielës, në të cilat shumica parlamentare e partisë së kryeministrit Vladimir Putin, u pakësua ndjeshëm në një proces që u shoqërua nga akuza për mbushjen e kutive të votimit më fletë votimi të rreme dhe parregullsi të tjera.

“Sic kemi parë të ndodhë në shumë vende dhe së fundmi edhe në zgjedhjet për Dumën në Rusi, zgjedhjet që nuk janë të lira dhe të drejta kanë të njëjtin efekt. Ne kemi shqetësime serioze për ecurinë e këtyre zgjedhjeve. Partive të pavarura politike, si Parnas iu mohua e drejta për t’u regjistruar. Dhe raporti paraprak i OSBE-së përmend përpjekje për të hedhur vota të falsifikuara, për të manipuluar listat e votuesve dhe praktika të tjera shqetësuese gjatë ditës së zgjedhjeve”.

Organizatorët e protestës thonë se shumë nga demonstruesit e arrestuar në Moskë vazhdojnë të jenë të ndaluar. Mes tyre është edhe Ilia Jashin, një nga anëtarët kryesorë të opozitës, të cilin një gjykatë në Moskë e dënoi me 15 ditë në burg për mosbindje ndaj policisë gjatë demonstratës së djeshme. Deri në 120 persona u ndaluan sot në një tubim të ngjashëm në qytetin e Shën Peterburgut në Veri.

Agjencia franceze e lajmeve AFP citoi një zyrtar të sigurisë të thotë se Rusia ka angazhuar forcat e Ministrisë së Brendshme për të vënë rregull gjatë disa protestave të parashikuara për sot në kryeqytet.

Presidenti rus Dmitri Medvedev ka këmbëngulur se zgjedhjet ishin të drejta, të ndershme dhe demokratike.

XS
SM
MD
LG