Lidhje

Rusia dhe sistemi i mbrojtjes nga raketat


Lëvizjet e fundit nga Rusia kanë sjellë përsëri në qendër të vëmendjes planet e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s për një sistem evropian të mbrojtjes nga raketat. Megjithatë, ka mosmarrëveshje se si duhen parë këto lëvizje të Rusisë, si dhe se si duhet të përgjigjet Amerika.

Megjithëse disa ligjvënës mbështesin zgjerimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat për të siguruar partnerët e NATO-s, të tjerë duan ta pezullojnë programin para se një objekt i ri të ndërtohet në Poloni, si mënyrë për të ulur tensionet me Rusinë.

Por pezullimi nuk do të sillte një qëndrim më të zbutur nga Rusia, thotë Michaela Dodge e Fondacionit Heritage.

“Rekomandimi im është të vazhdohet me zgjerimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat në Evropë, të vazhdohet me zhvillimin e aftësive të sigurisë kombëtare, kapacitetet rajonale, dhe të vazhdohet puna me aleatët që të jenë të fuqishëm, si politikisht dhe ushtarakisht në Evropë dhe jashtë Evropës”.

Dislokimi i një rakete nga Rusia në shkurt, që shkeli një marrëveshje 30-vjeçare, do të thotë se sistemi i mbrojtjes nga raketat duhet të vazhdojë, sipas Tomas Karakos të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Unë mendoj se tani do të jetë pikërisht koha e gabuar për ndërprerjen e planeve të mbrojtjes për Poloninë dhe vende të tjera. Ne duhet të vazhdojmë dhe të zgjerojmë sistemin e mbrojtjes në Redzikowo të Polonisë. Por duhet të vazhdojmë edhe t’i përshtasim kapacitetet tona për t’u përballur me rreziqe të tjera”.

Por sipas presidentit të fondacionit Ploughshares Fund Joseph Cirincione, tani që ekziston një marrëveshje bërthamore me Iranin, vendosur, preteksti për t’u mbrojtur kundër një sulmi nga Irani nuk qëndron më, kështu që sistemet e mbrojtjes raketore nuk duhet të zgjerohen:

“Programi mund të pezullohet tani. Nëse vazhdojmë me të, do të përçajë aleancën e NATO-s, sepse Rusia do të thotë: ‘Ja, ky program është vetëm për ne’. Nuk duhet t’i japim justifikim Rusisë të përçajë aleancën e NATO-s. Programi duhet pezulluar”.

John McCain, kryetar i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, tha se Rusia po e vë në provë administratën e re Trump me dislokimin e raketave me mbushje bërthamore, dhe kjo kërkon atë që ai e quan “një përgjigje kuptimplotë”.

Presidenti Donald Trump tha se do të ngrejë çështjen e dislokimit nëse do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin. Zoti Trump ka thënë gjithashtu se ai dëshiron të sigurojë që Shtetet e Bashkuara kanë arsenalin më të mirë bërthamor në botë.

Aktualisht, Rusia ka 7 mijë mbushje dhe Shtetet e Bashkuara 6 mijë e 800, sipas grupit anti-bërthamor Ploughshares Fund.

Një traktat i vitit 2011 që kufizon armët strategjike paracakton që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara t’i kufizojnë arsenalet e tyre të armëve bërthamore në nivele të barabarta vitin e ardhshëm, dhe të qëndrojnë në këto nivele për 10 vjet. Presidenti Trump e ka quajtur traktatin të “njëanshëm”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG