Lidhje

Kerry: Rusia po ushqen trazira separatiste


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u tha senatorëve amerikanë se Rusia po ushqen trazira separatiste në Ukrainën Lindore dhe mund të jetë diçka që ai e quajti “një krizë e sforcuar” që të justifikojë ndërhyrje ushtarake. Zoti Kerry i tha komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë se përfshirja e Rusisë në trazirat pro-ruse në të paktën tre qytete ukrainase është “e qartë dhe e pamohueshme”. Ai tha se Presidenti amerikan Barack Obama po përgatit sanksione edhe më të rrepta ndaj Rusisë nëse Moska vazhdon përpjekjet për të destabilizuar Ukrainën.

Zoti Kerry tha se Rusia ka një alternativë të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar në një mënyrë që lejon Ukrainën të bëhet urë mes Lindjes dhe Perëndimit, ose mund të përballet me një izolim më të madh dhe të paguajë koston e veprimeve të veta. Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se pjesët juglindore të Ukrainës duhet të përfshihen në bisedime për të ardhmen e vendit.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Rusisë të ndalë ndërhyrjen në Ukrainën lindore. Sekretari i Shtetit John Kerry e paralajmëroi zotin Lavrov se Rusia do të ketë pasoja nëse vazhdon të destabilizojë Ukrainën.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u tha gazetarëve sot në Moskë se Rusia dëshiron që pjesët juglindore të Ukrainës, që janë rusishtfolëse në shumicën e tyre, të përfaqësohen në bisedimet shumëpalëshe për të ardhmen e vendit.

"Ne jemi thellësisht të bindur, dhe deri tani askush nuk e ka vënë në pikëpyetje këtë bindje, se gjendja nuk mund të qetësohet, nëse autoritetet ukrainase vazhdojnë të mos përfillin interesat e rajoneve juglindore," tha zoti Lavrov.

Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Rusisë të ndalë ndërhyrjen në Ukrainën lindore, duke e kërcënuar me sanksione të reja nëse Moska nuk u jep fund përpjekjeve për destabilizimin e Ukrainës.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i telefonoi dje ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov me kërkesën që Rusia të distancohet nga ata që zoti Kerry i quan separatistë dhe sabotatorë.

"Sekretari Kerry i ka komunikuar ministrit të Jashtëm Lavrov se Shtetet e Bashkuara po i vëzhgojnë ngjarjet e 24 orëve të fundit në Kharkiv, Donetsk, Luhansk dhe Mariupol me shqetësim të madh dhe tha se këto ngjarje nuk duket të jenë spontane. Sekretari Kerry vuri në dukje pohimin e qeverisë ukrainase se kjo duket të jetë një fushatë e orkestruar me kujdes me mbështetjen ruse," tha Jen Psaki, zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.

Zoti Lavrov i hodhi poshtë akuzat se Rusia po destabilizon Ukrainën.

Në Paris, shefi i NATO-s Anders Fogh Rasmusen paralajmëroi se ndërhyrja e mëtejshe ruse në Ukrainë do të ishte një "gabim historik" që do ta izolonte më tepër Rusinë nga bota.

Po sot, ministria e jashtme e Rusisë i bëri thirrje Ukrainës të ndalë ato që ajo i quajti përgatitje ushtarake në juglindje, të cilat mund të çonin në një luftë civile.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov tha se 70 protestues u arrestuan në një operacion anti-terror për të përzënë demonstruesit prorusë që kishin pushtuar një ndërtesë qeveritare në qytetin Kharkiv.

Të dielën, demonstruesit prorusë zaptuan ndërtesa në qytetet ukrainase Kharkiv, Donetsk dhe Luhansk. Ata kërkojnë referendume për ndarje nga Ukraina, njëlloj si ai që u zhvillua muajin e kaluar në Krime.

Shtëpia e Bardhë thotë se ka prova që disa nga protestuesit nuk janë rusishtfolës vendas, por të sjellë nga diku tjetër dhe të paguar për të krijuar probleme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG