Lidhje

Një vit pas vrasjes së Boris Nemtsovit


Kritikë të Presidentit rus Vladimir Putin po shënojnë një vjetorin e vrasjes së udhëheqësit të opozitës Boris Nemtsov, i cili u qëllua në shpinë kur po ecte pranë Kremlinit. Një ndër pesë të dyshuarit ishte zëvendës komandanti i batalionit sigurie që njihet për besnikëri ndaj udhëheqësit çeçen Ramzan Kadirov. Vetë Kadirovi njihet për qëndrimin pro-Putinit. Prokurorët rusë e mbyllën procesin hetimor pa marrë në pyetje Kadirovin. Ndërkaq autoritetet nuk i kanë përfillur kërcënimet që ka bërë Kadirovi ndaj udhëheqësve të tjerë të opozitës ruse dhe kanë penguar përpjekjet për aktivitete përkujtimore për Boris Nemtsov.

Një kortezh përkujtimor është planifikuar për më 27 shkurt nëpër të njëjtin itinerar që ndoqi Boris Nemtsov në marshimin e fundit të protestës që zhvilloi në 2014 kundër ndërhyrjes ruse në Ukrainë.

Vrasja e tij tronditëse një vit më parë pranë mureve të Kremlinit shkaktoi protesta të dhjetëra mijëra vetëve në Moskë.

Autoritetet ruse thonë se hetimet për vrasjen e tij kanë përfunduar, por përkrahësit vazhdojnë të këmbëngulin:

“Vrasja e Nemtsovit nuk është zgjidhur. U gjetën ata që e kryen vrasjen, jo ata që paguan apo organizatorët e këtij krimi. Të gjitha gjurmët të çojnë në Çeçeni,” thotë ish-kryeministri rus Mikhail Kasyanov.

Dyshimet bien mbi udhëheqësin çeçen Ramzan Kadirov. Ai mendohet se kishte lidhje me të dyshuarit për vrasjen dhe kishte shprehur mbështetje për të pandehurin kryesor. Por Kadirovi, aleat i ngushtë i Presidentit Putin, nuk u mor kurrë në pyetje.

“Në fakt shohim se përmes hetimeve zyrtare duan të na mbushin mendjen se vrasja e udhëheqësit e opozitës, 200 metra nga muret e Kremlinit, ishte planifikuar nga një shofer. Ky duket qëndrimi zyrtar i hetuesve në përgatitje për gjyqin e të akuzuarve për vrasjen,” thotë aktivisti Vladimis Kara-Murza.

Tre muaj pas vrasjes së Nemtsovit, zoti Kara-Murza ra papritur në koma. Ai e mori veten pas trajtimit urgjent, por beson se ishte helmuar si rezultat i oponencës ndaj Putinit.

Kremlini nuk i ka përfillur shqetësimet për kërcënime kundër kundërshtarëve të Presidentit Putin, përfshirë një video të fundit të Kadirovit ku shihet gryka e një pushke snajper që ka në shenjestër udhëheqës të opozitës.

“Duket se përkrahësit e Putinit janë mbi ligjin. Situata me të cilën përballemi në realitetin rus është vërtetë e keqe,” thotë zoti Kasyanov.

Autoritetet në Moskë nuk kanë lejuar një marshim përkujtimor në urën ku Nemtsovi u qëllua për vdekje, as vendosjen e një përmendoreje. Por aktivistët po mbledhin firma dhe kanë vënë roje pranë përmendores provizore.

“Ai nuk ishte politikan tipik rus; ishte i hapur, trim dhe i ndershëm. Prandaj kemi dalë që të ruajmë kujtimin e këtij njeriu,” thotë aktivisti Pavel Rokmanov.

Përkrahësit e presidentit rus shpesh i shkelin lulet e vëna dhe thyejnë portretet dhe sipas aktivistëve, policia nganjëherë i mbështet në këto akte.

XS
SM
MD
LG