Lidhje

Rusia lejohet të marrë pjesë në Olimpike


Zyrtarët rusë të sportit, atletë dhe qytetarë të zakonshëm mirëpritën dje njoftimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, se ekipit rus nuk do t’i ndalohet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike të Rios që do të fillojnë muajin e ardhshëm. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e shqyrtoi dënimin e rëndë ndaj Rusisë pas një raporti që fliste për përhapje të gjërë të dopingut nga atletët e vendit me miratimin e shtetit. Por, pas një diskutimi të gjatë të dielën, komisioni njoftoi se drejtësia individuale do të vihet në vend dhe atletët rusë që nuk kanë përdorur doping do të lejohen të konkurrojnë nëse ata i plotësojnë kriteret. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke njofton se vendimi mbi sportistët rusë që mund të marrin pjesë në lojërat olimpike do të merret nga federatat ndërkombëtare të sporteve përkatëse.

Rusët u gëzuan kur mësuan se jo të gjithë ekipit të tyre do t’i ndalohej pjesëmarrja në Lojërat Olimpike Verore. Shumë prej tyre thanë se kërcënimi për ndalim ishte një lojë politike që kishte për qëllim të minonte Rusinë.

"Isha i sigurt se ata do të lejoheshin. Kjo është një lojë politike," thotë një turist nga Shën Peterburgu.

"Ka atletë të mirë në ekipin e Rusisë, dhe përpjekja për ndalimin e pjesëmarrjes së tyre në Lojërat Olimpike në Rio është një komplot amerikan. Qëllimi i tyre ishte largimi i Rusisë në mënyrë që amerikanët të mund të merrnin vendet e para," thotë një rus.

"Para Krimesë, askush nuk i kushtoi vëmendje këtyre skandaleve. Sapo u aneksua Krimea nga Rusia, të gjithë filluan të fajësonin Rusinë për çdo lloj mëkati," thotë një banor i Moskës.

Pjesëmarrja e Rusisë në Olimpiadën e Rios u vu në pikëpyetje pasi javën e kaluar Agjencia Botëror e Anti-dopingut bëri thirrje që vendit t’i ndalohej pjesëmarrja në lojrat olimpike për shkak të dëshmive për pjesëmarrje të sportistëve rusë në doping të mbështetur nga shteti në Olimpiadën Dimërore të vitit 2014 në Soçi. Sportistëve rusë tashmë u është ndaluar pjesëmarrje në garat ndërkombëtare të atletikës. Por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi se do të ishte i padrejtë ndëshkimi i sportistëve të tjerë, të cilët nuk kanë shkelur rregullat.

"Çdo qenie njerëzore duhet të përballet me drejtësinë individuale," shprehet presidentit i komitetit.

Por sportistët rusë do të pranohen në bazë të kritereve më të vështira të mundshme.

"Federatat ndërkombëtare sportive do të kryejnë një analizë individuale të të dhënave anti-doping të çdo atleti, duke marrë parasysh vetëm testet e besueshme ndërkombëtare. Testet ruse nuk do të merren në konsideratë. Ndryshe nga komitetet e tjera kombëtare olimpike, asnjë atlet rusë që në të kaluarën është dënuar për doping nuk do të lejohet të marrë pjesë në lojërat Olimpike të Rios, edhe në qoftë se ai ose ajo ka kryer dënimin," thotë Thomas Bach, president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Por, për Rusinë çdo gjë është më e mirë se një ndalim total.

"Ne jemi të vetëdijshëm se Komiteti Olimpik duhet të arrijë një ekuilibër mes përgjegjësisë kolektive dhe të drejtave individuale të atletëve," shprehet ministri rus i sportit.

Rusët kanë pritshmëri të mëdha nga atletët e tyre që do të marrin pjesë në Rio muajin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG