Lidhje

Rusia dhe Pakistani intensifikojnë kontaktet diplomatike


Pakistan Russia Foreign Ministesr Meeting & Press Conference
Pakistan Russia Foreign Ministesr Meeting & Press Conference
Pakistani dhe Rusia kanë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë mbi zgjerimin e marrëdhënieve të tyre politike, ekonomike dhe ushtarake. Por analistët besojnë se Afganistani është në qendër të kontakteve intensive diplomatike, ndërkohë që dy vendet përgatiten për realitetin e ri pas tërheqjes së pjesës më të madhe të trupave amerikane dhe të NATO-s. Korrespondenti Ayaz Gul njofton nga Islamabadi:

Kreu i ushtrisë pakistaneze Gjenerali Ashfaq Pervez Kayani ishte në Moskë këtë javë ndërkohë që Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka vizituar Islamabadin. Shkëmbimet e nivelit të lartë u zhvilluan vetëm pak ditë pasi Presidenti Vladimir Putin anuloi vizitën e tij të shumë-pritur në Pakistan, që do të kishte shënuar vizitën e parë të një kreu të shtetit rus në këtë vend. Anulimi i vizitës konsiderohet si një hap prapa në përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Megjithatë, në komentet në përfundim të bisedimeve në Islamabad, Ministrja e Jashtme Hina Rabbani Khar dhe homologu i saj rus Sergei Lavrov i hodhën poshtë këto aludime.

“Mendoj se fakti që Ministri Lavrov ndodhet këtu për vizitë është një sinjal pozitiv i angazhimit të Federatës Ruse për këtë marrëdhënie”.

Përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve ruso-pakistaneze ndodhin në një kohë kur marrëdhëniet e Islamabadit me Shtetet e Bashkuara kanë hasur në tensione. Farooq Hameed Khan është një ish-oficer i lartë i ushtrisë pakistaneze:

“Kemi përjetuar luhatje të shumta në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, sanksione të njëpasnjëshme ekonomike, kërcënime për sanksione ushtarake si dhe forcimin e ndjenjave anti-amerikane gjatë 10 vjetëve të fundit. Mendoj se njerëzit në Pakistan do të mirëprisnin përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë”.

Por shumë kritikë shprehen me dyshim për mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve, duke pasur parasysh historinë e trazuar të lidhjeve dypalëshe në të kaluarën. Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara financuan dhe stërvitën muxhahedinët që luftuan kundër pushtimit të Afganistanit nga sovjetikët. Ky bashkëpunim mbetet një kujtim i hidhur që pengon përmirësimin e marrëdhënieve mes Moskës dhe Islamabadit.

Tani që pritet tërheqja e trupave të NATO-s dhe atyre amerikane nga Afganistani, kjo marrëdhënie merr një rëndësi të re. Për më tepër lidhjet me Rusinë kanë vlerë të veçantë, duke pasur parasysh rezervat masive ruse të hidrokarbureve.

Gjatë vizitës në Islamabad, Ministri i Jashtëm rus Lavrov pohoi se Afganistani është një temë e rëndësishme në bisedimet me zyrtarët pakistanezë.

Zoti Lavrov theksoi se të gjitha propozimet për zgjidhjen e konfliktit në Afganistan duhet të dalin nga vetë zyrtarët afganë, duke u bazuar në konceptin e ripajtimit kombëtar përmes dialogut me të gjitha palët në vend.

Roli i Pakistanit konsiderohet jetik në procesin e ripajtimit në Afganistan si rezultat i lidhjeve që shumë nga grupet kryengritëse në Afganistan kanë me Pakistanin.

Shtetet e Bashkuara kanë pohuar se Pakistani mund të luajë rol në angazhimin e kryengritësve në bisedimet për ripajtim në Afganistan. Në të njëjtën kohë, zyrtarët amerikanë kanë aluduar se disa elementë brenda ushtrisë pakistaneze vazhdojnë të mbështesin rrjetin ekstremist Haqqani, i cili ndërmerr sulme ndërkufitare kundër forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan.
XS
SM
MD
LG