Lidhje

Marrëdhëniet Rusi-SHBA në fusha të ndryshme

  • Andre Nesnera

Pesë vjet më parë, administrata e Presidentit Obama u përpoq të realizonte një "nisje të re" të marrëdhënieve me Rusinë. Por, gjatë këtyre viteve të fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim marrëdhënieve ameriokano-ruse gjatë viteve të fundit.

Qasja e së ashtuquajturës "nisje e re" në marrëdhëniet amerikane me Rusinë ka sjellë disa rezultate konkrete, si një traktat i rëndësishëm strategjik për kontrollin e armëve duke reduktuar numrin e raketave me rreze të gjatë. Një tjetër shembull bashkëpunimi që analistët përmendin është qëndrimi më i ashpër i Moskës ndaj Iranit. Në Kombet e Bashkuara Rusia votoi pro sanksioneve më të ashpra ndaj Teheranit për dyshimet se vendi islamik po ndërtonte armë bërthamore.

Moska ka lejuar forcat amerikane të kalojnë transit nëpërmjet Rusisë për të hyrë dhe dalë nga Afganistani, një hap i rëndësishëm ky ndërsa trupat luftarake amerikane ulin praninë e tyre në atë vend. Gjithashtu, Rusia u bë pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara.

Analistët thonë se "nisja e re" ishte planifikuar të ishte faza e parë e krijimit të lidhjeve më të ngushta mes Uashingtonit dhe Moskës. Por ata thonë se mosmarrëveshjet e mëdha bënë që përpjekjet për të filluar fazën e dytë të mos kishin sukses, madje, thonë ekspertët, marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës janë përkeqësuar.

Një nga arsyet është mbështetja e palëkundur e Rusisë për udhëheqësin e Sirisë Bashar al-Asad.

Robert Legvold, i Universitetit Kolumbia, thotë se mbështetja e Assadit nga ana e Moskës është pjesë e një grupi më të madh çështjesh që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.

"Prej disa kohësh, duke filluar që nga administrata e Presidentit Bush duke përfshirë më pas dhe administratën e zotit Obama, Shtetet e Bashkuara besojnë se komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësi sa herë që ka shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Ndërsa rusët, ashtu si kinezët apo dhe indianët, janë plotësisht të përkushtuar ndaj idesë se bota nuk duhet të ndërhyjë në problemet e brendshme të shteteve, pavarësisht se sa keq mund të jetë situata për popullatat në këto vende."

Një fushë tjetër ku ka mospajtime është ajo e kontrollit të armëve.

Matthew Rojansky, i Qendrës Woodrow Wilson, thotë se Shtetet e Bashkuara duan pakësim të mëtejshëm të raketave balistike me rreze të gjatë veprimi, shkurtime që kalojnë ato të parashikuara nga Traktati START i ri.

"Nuk mendoj se kjo do të mund të realizohet gjatë mandatit të dytë të Presidentit Obama. Është diçka për të cilën rusët nuk janë të interesuar mjaftueshëm, duke pasur parasysh se dhe Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre nuk janë gati të përfshijnë në negociata elementë të tjerë që Rusia do të dëshironte, si për shembull kufizime në fushën e mbrojtjes balistike raketore, të armëve të hapësirës apo të armëve kibernetike."

Një tjetër çështje irrituese për marrëdhëniet SHBA-Rusi, thotë Robert Legvold, është rasti i Edward Snowden, ish-kontraktori i Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare, i cili ka marrë azil të përkohshëm nga Rusia.

Ndërsa analisti Rojansky thotë se historikisht, marrëdhëniet SHBA-Rusi janë ndikuar nga marrëdhëniet mes dy udhëheqësve: kur udhëheqësit nuk kanë pasur besim tek njëri-tjetri, marrëdhënie kanë qenë të këqija dhe anasjelltas.

"Mes Presidentëve Bush dhe Putin kishte shumë momente krizash njëra pas tjetrës. Një lloj marrëdhënieje si mes dashurisë dhe urrejtjes, me mjaft raste ekstreme kur perceptimi i tyre për njëri-tjetrin ishte herë shumë i lartë e herë shumë i ulët. Mes Presidentit Obama dhe zotit Medvedev kur ishte President kishte një marrëdhënie të qëndrueshme, me respekt të ndërsjellë e të vazhdueshëm, një marrëdhënie që mes Obamës dhe zotit Putin thjesht nuk ekziston. Mendoj se ka mosbesim, ftohtësi dhe mungesë respekti mes të dyve."

Zoti Rojansky thotë se shumica e shqetësimeve dhe kundërshtimeve të Rusisë ndikohen kryesisht nga interesat kombëtare të Moskës, të cilat në disa raste bien ndesh me interesat amerikane. Por ai thotë se pavarësisht këtyre dallimeve, dialogu midis dy vendeve duhet të vazhdojë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG