Lidhje

Moska kërcënon të ndalë bashkëpunimin shkencor


Fërkimet mes Perëndimit dhe Rusisë lidhur me situatën në Ukrainën lindore kanë filluar të ndikojnë tek bashkëpunimi shkencor mes Uashingtonit dhe Moskës. Rusia ka kërcënuar të mbyllë stacionet e grumbullimit të të dhënave satelitore në Rusi:

Kërcënimi për mbylljen e stacioneve që analizojnë sinjalet e Sistemit amerikan të Pozicionimit Global, GPS, pason paralajmërime të tjera për të ndalur bashkëpunimin shkencor.

Zëvendës Kryeministri Dmitry Rogozin njoftoi gjithashtu se Moska nuk do t’i lejojë Shtetet e Bashkuara të përdorin raketat për të hedhur në hapësirë satelitët ushtarakë dhe do të shkurtojë me katër vjet pjesëmarrjen ruse në Stacionin Ndërkombëtar Hapsinor.

Në Rusi ka 11 stacione që ndjekin sinjalet e sistemit amerikan GPS, të cilat më 1 qershor mund të detyrohen të pezullojnë operacionet. Sipas Profesorit të Universitetit New Brunswick, Richard B. Langley, këto stacione përdoren për të nxjerrë të dhëna shkencore nga sinjalet satelitore:

"Nëse mbyllen, ato do të ndikojnë në operacionet e përditshme të sistemit GPS dhe në aftësitë tona për pozicionime dhe lëvizje me makinë me ndihmën e aparaturave që japin drejtime. Por do të kenë edhe ndikim të madh tek studimet shkencore që bëhen duke shfrytëzuar sinjalet e sistemit GPS”.

Pjesa e sistemit GPS që operon nga toka përbëhet nga një qendër komandimi dhe stacione të tjera mbikqyrjeje që garantojnë lëvizjen e satelitëve në orbitën e duhur dhe korigjojnë gabime në përllogaritjen e kohës.

Sistemi rus i orientimit satelitor, GLONASS, ka disa stacione jashtë Rusisë dhe Moska ka shprehur dëshirën të ndërtojë disa stacione të reja në territor amerikan. Uashingtoni nuk ka pranuar të japë lejet e nevojshme dhe zoti Rogozin thotë se nëse nuk arrihet marrëveshje brenda 1 shtatorit, operacionet e stacioneve që ndodhen në Rusi dhe që kapin sinjalet e sistemit amerikan GPS do të mbyllen përfundimisht.

Zoti Langley, i cili bëri komente për shërbimin rus të Zërit të Amerikës, theksoi se asnjë nga stacionet nuk mund të përdoret për synime të tjera përveç mbikqyrjes së sinjaleve satelitore.

"Nuk mund ta imagjinoj se si do t’i përdornin këto stacione për aktivitet spiunazhi. Vendndodhja e këtyre qendrave dihet publikisht. Në shumë raste ato ndodhen në institucione shkencore dhe të dhënat e tyre mund të shihen falas nga publiku”.

Zoti Langley thotë se mbyllja e stacioneve mbikqyrëse do të dëmtojë edhe shkencën ruse, pasi shkencëtarët rusë përfitojnë nga të dhënat e grumbulluara nga sistemet GPS dhe GLONASS.
XS
SM
MD
LG