Lidhje

SHBA: Nuk ka shenja të tërheqjes ruse nga kufiri

  • Jeff Seldin

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja thonë se deri tani nuk ka shenja që tregojnë se 40 mijë trupat ruse po tërhiqen nga kufiri me Ukrainën, pavarësisht nga deklaratat që ka bërë presidenti rus.

Në komentet për shtypin në Moskë, Presidenti Vladimir Putin tha se u ka bërë thirrje separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore të shtyjnë referendumin për shkëputje, që ishte planifikuar për të dielën. Ai këmbënguli gjithashtu se forcat ruse janë tërhequr nga kufiri me Ukrainën.

Në komenet që bërë në avionin presidencial, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha se tërheqja ruse do të ishte një hap pozitiv.

"Ne do të mirëprisnim një akt kuptimplotë dhe transparent të tërheqjes së forcave ruse nga kufiri. Këtë e kemi kërkuar prej kohësh”.

Por zëdhënësi Earnest thotë se nuk ka prova për pretendimet ruse. Zëdhënësi i Pentagonit, Koloneli Steve Warren shprehet:

"Ajo që mund të them është se nuk kemi vërejtur ndryshime në pozicionet e trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën”.

Koloneli Warren thotë se nëse trupat ruse do të ishin në përgatitje për lëvizje, Shtetet e Bashkuara do ta kishin parë një gjë të tillë.

Edhe ligjvënësit amerikanë janë shprehur skeptikë. Kreu i Komisionit të Senatit për Zbulimin, republikani Dan Coats tha për Zërin e Amerikës se veprimet e zotit Putin kanë më vlerë se fjalët:

"Nëse Presidenti Putin vazhdon të nxisë elementët pro-rusë që po shkaktojnë këto probleme në Ukrainën lindore, në mënyrë që të pengohen ose të ndikohet tek rezultati i zgjedhjeve, tërheqja e trupave do të ishte një akt simbolik që nuk duhet t’i besojmë shumë se ka shpresa për të zgjidhur problemin”.

Stephen Blank i Këshillit për Politika të Jashtme Amerikane thotë se komentet e zotit Putin, veçanërisht ato që kërkojnë nga separatistët pro-rusë të shtyjnë referendumin, mund të jeni shenja se Rusia po e ndjen peshën e presionit:

"Ky është një hap për të siguruar zbutjen e presionit, pasi po të zhvillohet një tjetër referendum, do të ketë sanksione të reja, ndërkohë që sanksionet e mëparshme kanë filluar të ndjehen”.

Por zoti Blank thotë se Rusia do të vazhdojë përpjekjet për të destabilizuar Ukrainën:

"Për sa kohë që Vladimir Putin është president, Rusia nuk do ta pranojë një Ukrainë sovrane të orientuar drejt Perëndimit”.

Ndërkaq, rojet ukrainase të kufirit kanë marrë furnizime me pajisje ushtarake amerikane jovdekjeprurëse dhe po diskutohen ndihma të tjera për ushtrinë ukrainase.
XS
SM
MD
LG