Lidhje

Roli i Rusisë në zgjidhjen e krizës siriane

  • Andre Nesnera

Ka shqetësime në mesin e bashkësisë ndërkombëtare se përpjekjet diplomatike për të zgjidhur krizën siriane po dështojnë. Presidenti rus Vladimir Putin është në Pekin dhe një nga temat e diskutimit është kriza në Siri. Në këtë raport nga Uashingtoni, korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera analizon rolin e Rusisë si një lojtar kyç në rajon.

Rusia, dhe para saj Bashkimi Sovjetik, i kanë ofruar për dekada me rradhë ndihmë ekonomike dhe ushtarake qeverisë siriane, duke përfshirë avionë luftarakë Mig dhe mjete të tjera mbrojtëse të sofistikuara.

Moska gjithashtu vazhdon të operojë një objekt të marinës ushtarake nga periudha sovjetike në portin sirian të Tartusit në Detin Mesdhe dhe ka në plan të modernizojë portin për të mbajtur anije të mëdha, duke përfshirë edhe transportues avionësh.

Ekspertët thonë se lidhjet e ngushta mes Moskës dhe Damaskut kanë ndikuar në reagimin e Rusisë ndaj krizës në Siri. Gjatë 15 muajve të gjakderdhjes në atë vend, Moska i ka rezistuar përpjekjeve të Perëndimit për të dënuar Presidentin Bashar al-Assad.

Rusia u bashkua me Kinën në veton e vënë ndaj një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB ku i bëhej thirrje presidentin sirian të largohej. Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton e quajti votën "një farsë".

Profesori i Universitetit të Nju Jorkut dhe Prinstonit Stephen Cohen thotë se Moska e përdori fuqinë e saj të vetos pasi u dogj me abstenimin që i bëri rezolutës së Këshillit të Sigurimit për të caktuar një zonë ndalim-fluturimesh mbi Libi në mars të vitit të kaluar.

“Rusisë iu tha se nuk do të përdorej forca dhe se në resolute përcaktohej vetëm zona e ndalim-fluturimit mbi Libi. Kur forcat e Natos të udhëhequra nga amerikanët shkuan në luftë kundër Gadafit në Libi, Moska pa se iu thye premtimi. Dhe filloi t’i thotë vetes, asnjëherë më. Asnjëherë më nuk do të pranojmë fjalën e amerikanëve kur vjen puna për të përodur forcën kur ne kemi veton në Këshillin e Sigurimit. Kështu kur u ngrit kjo çështje kundër qeverisë siriane kohët e fundit, rusët i vunë veton dhe nuk ishte çudi që ata kishin Libinë në mendje. ”

Profesori i Universitetit të Kolumbias Robert Legvold thotë se veprimi i Rusisë në Kombet e Bashkuara ka patur pasoja negative.

“Qëndrimi rus ndaj Sirisë, ashtu si edhe ai i Kinës, ka sjellë dëme serioze në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Jo vetëm që ai ka përforcuar pikëpamjen e ashpër të Rusisë në media dhe në mesin e disa parlamentarëve, dhe ligjvënësve të Kongresit këtu, por ajo ka dëmtuar administratën Obama, e ka zemëruar shumë atë”.

Megjithë vetot e saj në OKB, Moska ka miratuar planin e paqes të ish-Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Anan. Plani bën thirrje për tërheqjen e armatimit të rëndë nga zonat urbane, një armëpushim dhe bisedime mes qeverisë siriane dhe opozitës.

Në të njëjtën kohë, ekspertët thonë se Rusia është përpjekur të luajë një rol ndërmjetësues në konflikt, duke pritur zyrtarët e qeverisë siriane në Moskë dhe, veçmas, anëtarët e opozitës.

Analisti John Parker në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes thotë se mendimi i tij personal është se Moska mund të ushtrojë presion mbi Sirinë.

"Por kjo nuk duket të ketë qenë shumë e suksesshme deri më tani. Nëse do të kërkonim mendimin e vërtetë të rusëve, ata mendojnë se përfundimisht, Bashar al-Asad do të bjerë nga pushteti. Por ata duan të ngadalësojnë procesin dhe të mos e lejojnë të marrë përmasa ushtarake, siç ekziston mundësia".

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, e parashtroi këtë ide në një intervistë me gazetarët kohët e fundit.

"Situata siriane ka gjasa për të ndikuar jo vetëm në Siri por në mbarë rajonin . Dhe ky është një rajon që është jashtëzakonisht i brishtë, nga Libia në Iran. Pra, perspektiva është mjaft dramatike jo vetëm në Siri, por në mbarë rajonin".

Churkin tha se Rusia është e pakënaqur me gjendjen e tanishme dhe shtoi se Moska do të përdorë çdo mundësi dhe kanal komunikimi në përpjekje për të përmirësuar situatën.
XS
SM
MD
LG