Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Rusia ka “bazë të qartë ligjore” për të ekstraduar Snowdenin


Reagimi erdhi pasi presidenti rus Putin tha se ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare nuk do të ekstradohet drejt Shteteve të Bashkuara

Shtëpia e Bardhë tha se Rusia ka “bazë të qartë ligjore” për të ekstraduar Edward Snowdenin dhe se duhet ta bëjë një gjë të tillë pa vonesë.

Reagimi erdhi pasi presidenti rus Vladimir Putin e pranoi se ish-kontraktori i Agjencisë amerikane të Zbulimit ndodhet në zonën e tranzitit të një aeroporti të Moskës, por se nuk do të ekstradohet drejt Shteteve të Bashkuara.

Duke folur gjatë një vizite në Finlandë zoti Putin tha se Rusia nuk ka shkelur ndonjë ligj për këtë rast që ai e quajti “një rast qesharak me të cilin nuk ia vlen të merresh”. Ai tha se Rusia nuk ka marrëveshje ekstradimi me Shtetet e Bashkuara.

Edward Snowden kërkohet nga Shtetet e Bashkuara për nxjerrjen e disa programeve sekrete amerikane të përgjimit dhe disa sekrete të tjera zbulimi. Por zoti Putin tha se ai nuk ka shkelur ndonjë ligj në Rusi.

Ai tha se Snowden është një individ i lirë dhe sa më shpejt që ai të zgjedhë një destinacion përfundimtar aq më mirë. Zoti Putin po ashtu tha se Snowden nuk ka bashkëpunuar kurrë me agjencitë ruse të zbulimit.

Presidenti rus shtoi se ai shpreson që kjo çështje nuk do të ndikojë mbi marrëdhëniet e Moskës me Uashingtonin.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry kishte thënë më parë se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konfrontim dhe ai bëri thirrje për “qetësi dhe arësye” për rastin Snowden.
XS
SM
MD
LG