Lidhje

Rusia: Të arrestuarit nuk kanë kryer ndonjë veprim kundër interesava të SHBA


Ministria e Jashtme ruse pranoi se një numër qytetarësh rusë janë arrestuar si të dyshuar spiunazh në Shtetet e Bashkuara por shtoi se ata nuk kanë kryer ndonjë veprim kundër interesava amerikane.

Në një deklaratë të publikuar sot në faqen elektronike të ministrisë thuhet se autoritetet ruse mendojnë se të dyshuarve do t’u garantohet trajtim normal nga autoritetet amerikane.

Aty thuhet gjithashtu se Moska pret që autoritetet amerikane të marrin parasysh karakterin pozitiv të marrëdhënieve të tanishme ruso-amerikane.

Në dokumentet e gjykatës amerikane, të dyshuarit cilësohen si persona paligjshëm që kishin misione shumë të fshehta në Shtetet e Bashkuara në shërbim të sigurimit rus SVR.

Media amerikane thotë se të dyshuarit, të akuzuar për konspiracion dhe pastrim parash, kanë jetuar për më shumë se një dekadë në qytetet amerikane dhe kanë mbajtur poste jo-qeveritare. Disa prej tyre kanë punuar në universitete dhe institucione studimore.

Një i dyshuar i 11të u arrestua sot paradite në Qipro.

Në Washington ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Philip Gordon tha sot se diplomatët amerikanë kanë kontaktuar me Moskën për këtë çështje. Ai tha gjithashtu se administrata vazhdon të mbetet e përqëndruar në përmirësimin e lidhjeve dypalëshe ashtu si gjatë 18 muajve të fundit.

XS
SM
MD
LG