Lidhje

Rusia: Turqia kërkoi falje për rrëzimin e avionit


Kremlini thotë se Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan të hënën i ka kërkuar falje udhëheqësit rus, Vladimir Putin, për rrëzimin e një avioni ushtarak rus vitin e kaluar, që rezultoi në vdekjen e pilotit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve në Moskë se "Kreu i shtetit turk në mesazhin e tij shprehu keqardhjen e tij dhe ngushëllimet më të thella për familjen e pilotit të vdekur rus dhe tha se i vjen keq për incidentin."

Zoti Peskov shtoi se presidenti Erdogan donte të bënte "gjithçka që është e mundur për riparimin e marrëdhënieve tradicionalisht miqësore mes Turqisë dhe Rusisë."

Pas rrëzimit të aeroplanit rus nga Turqia, Kremlini u përgjigj duke vënë kufizime tregtare ndaj Turqi, përfshirë ngrirjen e punimeve për ndërtimin e një tubacioni të transportit të gazit rus në Evropë nëpërmjet Turqisë, dhe këshilloi rusët të shmangin vendpushimet turke.

Presidenti Putin ka thënë se sanksionet do të hiqen nëse presidenti Erdogan kërkon falje personalisht. Të hënën nuk pati shenja nga Moska për përfundim të sanksioneve ruse ndaj Turqisë.

Tensionet mes Rusisë dhe Turqisë u shkallëzuan në nëntor, kur Turqia rrëzoi një avion ushtark rus, i cili sipas Ankarasë kishte hapësirën e saj ajrore pranë kufirit të saj me Sirinë. Në këtë incident, Rusia gjithashtu mohoi se avioni i saj kishte hyrë në hapësirën ajrore turke.

Rusia dhe Turqia janë në kundërshtim me njëra-tjetrën mbi konfliktin në Siri. Rusia e mbështet qeverinë e presidentit Bashar al-Assad, kurse Turqia dëshiron rrëzimin e tij nga pushteti.

XS
SM
MD
LG