Lidhje

Rusia, Turqia dhe turizmi


Sulmi me lëndë kimike në Siri ka ringjallur tensionet ruso-turke. Turqia po bën thirrje përsëri për heqjen e Presidentit sirian Bashar al-Assad të mbështetur nga Rusia, për krijimin e zonave të sigurta dhe zonave të ndalim-fluturimit, por tensionet e reja ndërmjet Rusisë dhe Turqisë mund t'i kushtojnë shumë Ankarasë në aspektin ekonomik.

Qëndrimi i fuqishëm i Ankarasë kundër regjimit sirian solli një reagim të shpejtë nga Moska. Bashkimi rus i Industrisë së Udhëtimeve paralajmëroi të hënën se mund të rikthejë në fuqi embargon për fluturimet çarter drejt vendpushimeve turke.

Embargoja, e cila u hoq kohët e fundit, ishte pjesë e sanksioneve të ashpra ekonomike të zbatuara nga Moska pas incidentit në vitin 2015, kur avionët turq rrëzuan një bombardues rus, që fluturonte nga një bazë ajrore siriane. "Nuk mendoj se Turqia mund të përballojë një krizë me Rusinë," paralajmëron komentatori politik Semih Idiz. “Sidomos në aspektin ekonomik, tani që fillon sezoni turistik," thotë Idiz.

Turistët rusë zenë vendin e dytë për nga numri i pushuesve të huaj në Turqi. Embargoja e vitit të kaluar e dëmtoi rëndë industrinë fitimprurëse të turizmit në Turqi. Numri i vizitorëve ra me rreth tre milionë. Turizmi përbën 6.2 për qind të ekonomisë turke, duke punësuar tetë për qind të fuqisë punëtore.

Deri tani, mediat turke kishin njoftuar për një shtim të rezervimeve turistike ruse dhe për hapjen e rrugëve të reja ajrit çarter nga Rusia, por shpresat për një bum të ri turistik tani janë pakësuar, ndërkohë që ekonomia e vendit është ngadalësuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG