Lidhje

Marrëveshja BE-Kiev, nën hijen e Kremlinit

  • Steve Herman

Ukraina ka nënshkruar një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit politik me Bashkimin Evropian, duke shtyrë për më vonë një traktat tregtar me grupin me 28 anëtarë. Marrëveshja realizohet ndërkohë që Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi dokumentin që zyrtarizon përfshirjen e Krimesë brenda Rusisë.

Ndërkohë që Ukraina hodhi një hap historik për t’iu afruar më pranë Evropës, provinca rusisht-folëse e Krimesë u fut nën kontrollin e Rusisë. Presidenti Putin nënshkroi dokumentat që përfundojnë aneksimin e saj nga Kremlini.

Kryeministri i përkohëshëm i Ukrainës Arseni Jatseniuk shpjegoi në Bruksel se vendi i tij ka vetëm dy opsione në përgjigje të veprimeve të Rusisë.

"E para është ushtarake, e cila nuk është e pranueshme për botën, pasi mund të çojë në një luftë të tretë botërore. E dyta është politike, diplomatike dhe ekonomike. Mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur Rusisë është vendosja e presionit ekonomik”.

Marrëveshja politike mes Kievit dhe BE-së nuk ndryshon gjë në realitetin në Ukrainë. Por Zëvendës Ministri i Jashtëm i Ukrainës Danylo Lubkivsky thotë se marrëveshja e vë Ukrainën në një rrugë të re në përgjigje të problemeve me të cilat përballet:

"Po bëjmë një punë të madhe tani, ndërkohë që ballafaqohemi me konfliktin në Krime dhe me problemet e mëdha ekonomike, problemet e korrupsionit që kemi trashëguar nga regjimi i mëparshëm”.

Këtyre shqetësimeve u shtohet fakti që Moska ka deklaruar se Kievi i ka borxh miliarda dollarë për gazin rus që ka importuar. Rusia ka paralajmëruar se mund të eliminimojë skonton që ka zbatuar për gazin që i shet Ukrainës, në bazë të premtimit që Presidenti Putin i kishte bërë ish-presidentit Viktor Yanukovych. Moska ka ndërprerë eksportet e gazit për Ukrainën disa herë gjatë dekadës së fundit.

I dërguari i posaçëm amerikan për energjinë Carlos Pasqual ndodhet në Kiev për bisedime me udhëheqësit ukrainas lidhur me sigurinë energjetike të vendit. Ai thotë se Ukraina mund të sigurojë pavarësinë energjetike brenda 2020.

Ambasadori shprehu shpresën se Rusia do të vazhdojë të ketë nevojë për sistemin tranzit përmes Ukrainës.

"Në mënyrë që të përmbushë nevojat e klientëve në Evropën qendrore e perëndimore, Rusia duhet të përdorë infrastukturën furnizuese të gazit dhe në këtë mënyrë do të furnizojë edhe Ukrainën”.

Pas një ndalese në Moskë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon mbërriti në Kiev për takime me zyrtarë të lartë. Ai shprehu shqetësimin për mundësinë e një krize përtej rajonit.

"Kjo krizë mund të zgjidhet vetëm me mjete paqësore diplomatike bazuar në parimet e OKB-së, përfshirë respektimin e sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

Ihor Smeshko ka qenë më parë shefi i shërbimeve sekrete të Ukrainës dhe ish-kolonel në ushtrinë sovjetike. Ai thotë se nëse ushtria ukrainase nuk mobilizohet për mbrojtje, kjo do të interpretohet si mungesë vullneti për të mbrojtur sovranitetin e vendit.

"Duhet t’i tregojmë botës dhe popullit ukrainas se kjo qeveri dhe ky vend është i gatshëm të vetëmbrohet përballë një provokacioni të madh nga ish-partneri strategjik, Rusia dhe tani kundërshtari kryesor strategjik i Ukrainës”.

Ndërkaq, ambasadori amerikan Stephen Mull në Varshavë ritheksoi para gazetarëve se qeveria amerikane dhe ajo polake po diskutojnë zgjerimin e manovrave ajrore për të përfshirë trupa nga vendet balltike, Bullgaria, Republika Ceke, Hungaria, Rumania dhe Sllovakia.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG