Lidhje

Ukraina e shqetësuar për agresion të mundshëm rus


Zëvendës Ministri i Jashtëm i Ukrainës shprehu dje shqetësim se Rusia mund të ketë plane për të pushtuar vendin e tij. Danylo Lubkivsky i bëri thirrje Moskës të tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën.

Danylo Lubkivsky tha se vendi i tij ballafaqohet me kërcënime shumë të mëdha dhe ngriti pyetjen se sa trupa ka dërguar Rusia në kufi me vendin e tij:

"Do të doja të pyesja palën ruse të na tregojë sa trupa ka pranë kufirit me Ukrainën. Sa njerëz, sa njësi ushtarake dhe për ç’arsye ndodhen aty? Mos kanë plane për pushtim?”

Në komentet për gazetarët në OKB, në kuadër të takimeve me zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe diplomatë të tjerë, zëvendës ministri i jashtëm tha se Kievi shqetësohet se Moska mund të ketë plane edhe më agresive në mendje.

"Kemi informata se jemi në rrezik. Prandaj u bëjmë thirrje autoriteteve ruse të shpjegojnë arsyet përse mbajnë aq shumë trupa pranë kufirit tonë. Shpresojmë se logjika e shëndoshë dhe pozita ndërkombëtare që gëzojmë dhe për të cilën jemi shumë mirënjohës, do ta qetësojë agresorin”.

Ai tha se Kievi preferon një zgjidhje paqësore për konfliktin, por nëse Rusia kalon kufirin, trupat ukrainase do të jenë gati të luftojnë:

"Ka momente në historinë e çdo vendi kur duhet të mbrosh territorin, atdheun dhe pavarësinë”.

Zoti Lubkivsky dënoi gjithashtu ndalimin e një grupi vëzhguesish ndërkombëtarë nga separatistët pro-rusë. Vëzhguesit punojnë për Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, e cila ka dërguar ekipe në nëntë pika të ndryshme në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se do të vendosin sanksione të reja në përgjigje të veprimeve të fundit ruse. Rusia ka thënë se po vepron për të mbrojtur popullatën rusisht-folëse në Ukrainë.

Rusia aneksoi Krimenë muajin e kaluar, pas një referendumi të organizuar me ngut në praninë e trupave ruse. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka deklaruar votën të pavlefshme.
XS
SM
MD
LG