Lidhje

Rusia organizon konferencë për Afganistanin


Rusia do të mbajë këtë muaj një konferencë rajonale për Afganistanin, për të diskutuar mbi përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e zgjatur dhe për të mos lejuar përhapjen e terroristëve të Shtetit Islamik, që përpiqen të futen në vendin e shkatërruar nga luftimet.

Në fund të dhjetorit Moska organizoi një takim tripalësh për Afganistanin, ku ishin ftuar vetëm Pakistani dhe Kina. Dialogu shkaktoi reagime të forta të qeverisë afgane, që u la jashtë takimit.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha të martën se Afganistani këtë herë është ftuar zyrtarisht në raundin e bisedimeve që zhvillohet në mesin e shkurtit, ku do të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë nga Kina, Irani, India dhe Pakistani.

IS u shfaq në Afganistan rreth dy vjet më parë dhe ka kryer sulme ekstremiste në vend dhe në disa pjesë të Pakistanit, me emrin rajonal Shteti Islamik i Provincës Khorasan. Por grupi ekstremist deri tani nuk ka qenë i aftë t’i zgjerojë aktivitetet e tij përtej disa distrikteve në provincën lindore afgane të Nangarharit, në kufi me Pakistanin.

Ministri i Jashtëm rus theksoi mbështetjen e Moskës për përfshirjen në bisedimet e paqes edhe talebanët, për t’i dhënë fund luftës në Afganistan.

XS
SM
MD
LG