Lidhje

Rusia ndalon hyrjen e gazetarit amerikan


Rusia ka ndaluar hyrjen në vend të një gazetari amerikan i cili ka jetuar dhe punuar në Moskë.

David Sutter, një korrespondent veteran i huaj i cili punon për Radion Evropa e Lirë, e cila financohet nga qeveria e Shtetetve të Bashkuara, thotë se ai është njoftuar në dhjetor se kërkesa e tij për vizë ruse ishte miratuar.

Megjithatë, ai thotë se atij i është thënë më pas nga një zyrtar në ambasadën ruse në Kiev të Ukrainës ku kishte aplikuar për vizë, se "organet kompetente" në Rusi kishin vendosur se prania e tij në vend ishte "e padëshirueshme" dhe se atij do t’i ndalohet hyrja në vend.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha në një deklaratë të lëshuar dje se zotit Satter i është ndaluar hyrja në vend për pesë vjet.

Ministria e Jashtme ruse tha se zoti Satter kishte hyrë në Rusi për herë të fundit më 21 nëntor, por nuk arriti të marrë një vizë me shumë hyrje dhe dalje, siç e kërkon ligji rus. Sipas ministrisë, ai aplikoi për një vizë me shumë hyrje-dalje më 26 nëntor, por kërkesa e tij ishte refuzuar për shkak se ai kishte qenë i pranishëm në Rusi "në mënyrë të paligjshme" nga data 22 deri më 26 nëntor.

Më 29 nëntor, një gjykatë në Moskë vendosi që zoti Satter të gjobitej dhe të deportohej, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.

Gazetari David Satter, shkrimet e të cilit janë shumë kritike ndaj siç thotë ai autoritarizmit të qeverisë ruse dhe korrupsionit, tha për shërbimin rus të Zërit të Amerikës dje në një intervistë përmes Skype-it nga Londra se ai mendonte se veprimet kundër tij ishin të motivuara politikisht dhe dëshmi se "regjimi rus po humbet besimin."

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Kevin Klose tha më 13 janar se Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë ishte informuar për veprimin kundër zotit Satter dhe ka dorëzuar një notë proteste diplomatike.
XS
SM
MD
LG