Lidhje

Rusia dhe dopingu


Ndërsa Rusia përballet me mundësinë e pezullimit nga garat atletike si rezultat i dopingut, presidenti Vladimir Putin ka premtuar një hetim të plotë. Zyrtarët rusë po kërkojnë që vetëm ata që janë gjetur fajtorë të përjashtohen nga Olimpiket verore të Brazilit. Nga ana tjetër, analistët thonë se megjithatë, Olimpiket dhe Rusia rrezikojnë të humbasin sponsorët si rezultat i skandalit.

Sportet ruse po tronditen nga akuzat për doping të sponsorizuar nga shteti, të papara që nga koha sovjetike.

Presidenti rus Vladimir Putin foli për herë të parë mbi skandalin, duke u thënë zyrtarëve sportivë që të tregohen të vëmendshëm.

“Ne duhet të bëjmë hetimet tona dhe të sigurohemi që të jenë të hapura. Dua të theksoj një bashkëpunim më të hapur profesional me strukturat ndërkombëtare të anti-dopingut. Në Rusi duhet të bëjmë gjithçka për ta zhdukur këtë problem.”

Komentet e Putinit janë ndryshim i tonit nga reagimi fillestar, i cili hodhi poshtë akuzat e Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut, (WADA) si të pabaza dhe si komplot kundër Rusisë.

Ekipi rus i atletikës mund të pezullohet nga Olimpiket verore të Brazilit, një shqetësim publik ky që mund të ketë ndikuar tek ndryshimi i qendrimit. Ja si shprehet inxhinieri Yevgeny Denisov:

“Ndoshta duhen përjashtuar disa individë por jo e gjithë federata. Rusia duhet të mbrojë pikpamjet e veta në arenën botërore të sportit.” Ministri rus i sporteve, Vitaly Mutko, konkretisht subjekt i një hetiminga FIFA, u zotua për përmirësimin e testimit të drogës dhe marrjen parasysh të përgjegjësive penale.

“Çdo gjë do të rregullohet. Do të propozojmë bashkëpunim të plotë
me Agjencinë Botërore Anti-Doping (WADA) në riçertifikimin e
laboratorit tonë. Dje kam pranuar dorëheqjen e drejtorit të
laboratorit. Jo se doja të tregoja solidaritet me konkluzionet e
komisionit apo vlerësuar punën e tij, por thjesht sepse ai deshi të
largohet pas përsëritjes së akuzave ndaj tij nga WADA.”

Një ish drejtues i etikës globale po ashtu u largua pas akuzave se kishte pranuar ryshfet për të mbuluar rastet e dopingut. Ekspertët parashikojnë pasoja financiare.

Andrey Movchan është Drejtor i Programit të Politikave Ekonomike në Qendrën Carnegie në Moskë.

“Ndaj, investitorët ndërkombëtarë, nëse ka mbetur ndokush, mund të shqyrtojnë qendrimin. Madje edhe shuma e sponsorizimit për Kupën Botërore 2018 mund të rishikohet në lidhje me ndryshimin e imazhit kombëtar.”

Stadiumi i Moskës Luzhniki ishte qendër e Olimpikeve të vitit 1980 dhe është caktuar të jetë pritës i finaleve të Kupës Botërore 2018. Zyrtarët rusë do të duhet të veprojnë shpejt nëse dëshirojnë të largojnë hijen që ka mbuluar sportet ruse.

XS
SM
MD
LG