Lidhje

Marrëveshje Rusi-Evropë për një mision në Mars


Agjencia Evropiane e Hapësirës njoftoi një marrëveshje tentativë me Rusinë për një mision pa njerëz në planetin Mars

Agjencia Evropiane e Hapësirës njoftoi një marrëveshje tentativë me Rusinë për një mision pa njerëz për të zbuluar shënjat e jetës në planetin Mars.

Ky projekt, i cili u miratua sot gjatë një takimi në Napoli të Italisë, parashikon dërgimin e një sonde orbitale në mars në vitin 2016 që do të përpiqet të gjejë shënja të gazit metan ose të dhëna të tjera biologjike në atmosferen e planetit të kuq, Marsit. Një sondë kozmike me 6 rrota do të pasonte këtë mision në vitin 2018.Misioni i quajtur EXOMars u krijua në dhjetor të vitit 2005 dhe deri tani në të janë shpenzuar më tepër se 500 milion dollarë.

Kur NASA u tërhoq nga udhëtimet në hapësirë në shkurt të këtij viti për shkaqe buxhetore, Evropa iu drejtua agjencisë ruse të Hapësirës, Roscosmos për ndihmë. Sipas një projekt-marrëveshjeje, Rusia do të japë raketa Proton kurse Evropa do të instalojë instrumente hapësirore në bordin e satelitit dhe të sondës.

Shumë anëtarë të Agjencisë Evropiane të hapësirës po përballen me një buxhet të shtrënguar dhe një numër projektesh të hapësirës janë lenë mënjanë tani për tani. Plani për të dërguar një satelit në Henë nuk bëri shumë jehonë për shkak të krizës buxhetore.

Gjatë takimit të sotëm, anëtarët e Agjencisë Evropiane të Hapësirës miratuan një buxhet shumë-vjeçar prej 12 miliard e 300 milion dollarësh.

XS
SM
MD
LG