Lidhje

Rusia pezullon importin e ushqimeve nga Perëndimi

  • Daniel Schearf

Rusia është hakmarrë ndaj sanksioneve perëndimore duke pezulluar importet ushqimore nga Perëndimi. Ndalimi i përkohëshëm i importeve ushqimore nga Australia, Bashkimi Evropian, Norvegjia dhe Amerika Veriore ka shqetësuar konsumatorët rusë se ata mund të përballen me rritje të madhe të çmimeve ushqimore. Për ironi, sanksionet i kanë shtuar shpresat e disa prodhuesve rusë se bizneset e tyre mund të përfitojnë nga kjo gjendje.

Prodhuesi më i madh rus i mishit Cherkizovo, furnizon zonën e Moskës me rreth 4,500 ton nënprodukte pule.

Rritja e prodhimit të brendëshëm ka ulur varësinë e Rusisë ndaj importeve bujqësore dhe të mishit.

Por sanksionet e Kremlinit ndaj importeve ushqimore perëndimore ka ngjallur shqetësime për një rritje të mundëshme çmimesh. Ja se si shprehet një konsumatore.

“Jam shumë e shqetësuar. Nëse rritet çmimi i prodhimeve ushqimore ruse, kjo do të ndihet. Momentalisht çmimet e ushqimeve të brendëshme janë konkurruese me ato nga Perëndimi.”

Moska thotë se kufizimi i importeve nuk do të ndikojë ndjeshëm tek furnizimet apo çmimet. Ata shpresojnë të gjejnë furnizues në Azi dhe Amerikën Latine për të zëvendësuar mallrat nga perëndimi.

Rusia është një prej blerësve më të mëdhenj të pulave të ngrira nga Shtetet e Bashkuara. Pezullimi i importeve mund të ndihmojë kompani si Cherkizovo që të fitojnë tregje.

Zëdhënësi Yuri Cherchenko thotë se kompania së shpejti do të dyfishojë prodhimet e freskëta nga pulat dhe është e gatëshme të zëvendësojë furnizuesit amerikanë.

“Sanksionet kundër importeve janë të mira për prodhuesit vendas. Janë një shtytje për të zhvilluar më tej prodhimet bujqësore ruse.”

Nuk janë vetëm prodhuesit e mëdhenj rusë që mund të përfitojnë nga pezullimi i importeve perëndimore. Kompania e qumështit Mosmedyn thotë se djathërat e saj të stilit evropian janë më të mira se importet sepse janë të freskëta. Zëvendës drejtori Sergei Rezunenko thotë se ka një kërkesë në rritje për prodhimet e tij por në parim është kundër kufizimit të tregjeve si ky i fundit nga Rusia ndaj importeve perëndimore.

“Nga pikpamja e vlerave botërore, ne nuk duhet të ndërtojnë mure për ta veçuar veten. Sot, qumështin e prodhojmë me paisje suedeze. Nëse suedezët do të ishin të ndaluar këtu, nuk do të kishim këtë fabrikë dhe paisjet e tyre.”

Sanksionet e lidhura me Ukrainën mund të çojnë në një luftë tregtare mes Rusisë dhe Perëndimit. Kremlini po kërcënon të padisë në Organizatën Botërore të Tregtisë lidhur me sanksionet perëndimore.

Për ironi, pranimi i Rusisë në këtë organizatë dy vjet më parë u mbështet nga Shtetet e Bashkuara vetëm pasi të dyja palët ranë dakord që Rusia t'i jepte fund ndalimit të importeve të pulave amerikane.

XS
SM
MD
LG