Lidhje

G7 pezullon Rusinë

  • Luis Ramirez

Rusia e quajti "kundër-produktiv" hapin e ndërmarrë nga fuqitë botërore për ta përjashtuar Moskën nga Grupit i Tetë vendeve më të industrializuara për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin i bëri komentet një ditë pasi shtatë vende të tjera të G8s ranë dakord për të mbajtur takimin e tyre të shtatëshes në muajin qershor në vend që të marrin pjesë në samitin e planifikuar të G8s në Rusi.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar në periferitë e një takimi për sigurinë bërthamore në Hagë, udhëheqësit e SHBA, Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë thanë se e kishin pezulluar pjesëmarrjen e tyre me Rusinë në Grupin e Tetëshes deri sa Moska "të ndryshojë kursin".

Fuqitë perëndimore po përpiqen ta izolojnë Rusinë për shkak të aneksimit të gadishullit të Krimesë.

Agjencitë ruse të lajmeve citojnë zëdhënësin e Kremlinit, sipas të cilit, Rusia është e gatshme dhe e interesuar për vazhdimin e kontakteve me vendet e G8s. Por ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha dje se nuk do të ishte ndonjë tragjedi e madhe nëse Rusia hiqet nga ky grup. Zoti Lavrov u takua dje për herë të parë me homologun e tij ukrainas për të diskutuar mbi krizën.

Shtetet e Bashkuara riafirmuan sot angazhimin e tyre ndaj udhëheqjes së Ukrainës. Në një deklaratë të përbashkët, të dy vendet e cilësuan përpjekjen e Rusisë për të aneksuar Krimenë si "të paligjshme" dhe u zotuan të mos e njohin këtë akt. Në deklaratë thuhet se veprimet e Rusisë "minojnë themelet e arkitekturës globale të sigurisë dhe rrezikojnë paqen dhe sigurinë evropiane."

Sot, ligjvënësit e Ukrainës shkarkuan ministrin e mbrojtjes në detyrë, Igor Tenyukh, i cili kishte ofruar dorëheqjen për shkak të kritikave se nuk kishte vepruar si duhet në rastin e tërheqjes së trupave të Ukrainës nga Krimea. Ukraina i urdhëroi trupat e saj të largoheshin nga Krimea dje, rreth një javë pasi trupat ruse filluan të stacionoheshin në bazat e atjeshme ushtarake.

Zoti Tenyuhk tha se vetëm 4,300 nga të 18.800 trupat ukrainase në Krime vendosën të evakuohen. Një pjesë u bashkuan me forcat ruse.

EVROPA DHE AMERIKA, TË BASHKUARA

Presidenti Obama dje mbërriti në Holandë për një takim rutinë mbi sigurinë bërthamore, por Ukraina dhe përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të izoluar Rusinë ishin në qendër të diskutimeve në takimin e presidentit Obama me homologun e tij holandez dje në Amsterdam.

"Evropa dhe Amerika janë të bashkuar në mbështetjen tonë për qeverinë dhe popullin ukrainas. Ne jemi të bashkuar në përpjekjet për t’i imponuar një kosto Rusisë per veprimet e saj".

Administrata amerikane është gjithashtu duke u përpjekur të zgjerojë mbështetjen përtej Evropës për veprimet e saj ndaj Moskës. Një prej takimeve të para të zotit Obama ishte me presidentin kinez Xi Jinping në punimet e takimit mbi çështjen bërthamore në Holandë.

"Sot, përveç punës së rëndësishme që do të bëjmë në Samitin e Sigurisë Bërthamore, ne do të kemi mundësinë për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh që janë në interes të përbashkët, duke përfshirë çnuklearizimin e Koresë së Veriut, ndryshimet klimatike si dhe çështjet botërore si situata në Ukrainë".

Kina ka ndërmarrë një hap të rrallë për të sfiduar veprimet e Rusisë në Krime duke thënë, ashtu si Shtetet e Bashkuara, se ajo dëshiron një zgjidhje me rrugë diplomatike të krizës.

Në samitin bërthamor, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ishte në mesin e pjesëmarrësve, por jo presidenti rus Vladimir Putin.

Në një takim urgjent të grupit G7 të organizuar nga presidenti Obama, udhëheqësite vendeve më të industralizuara biseduan mbi të ardhmen e Rusisë në Grupin e Tetë ekonomive më të fuqishme në botë.

Presidenti Obama ka mbledhur partnerët amerikanë këtu për të intensifikuar sanksionet ndaj Moskës, një përpjekje që ai do ta vazhdojë në ndalesën e tij të ardhshme në Bruksel.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG