Lidhje

SHBA hedh poshtë pretendimin rus për vrasjen e al-Adnanit


Rusia thotë se Abu Muhammad al-Adnani, zëdhënës dhe një nga drejtuesit kryesorë të Shtetit Islamik, u vra nga sulmet e saj ajrore.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë vinte në dukje përmes një deklarate se nga bombardimet e avionëve të saj të martën në afërsi të Alepos, u vranë rreth 40 luftëtarë të Shtetit Islamik, mes tyre edhe al-Adnani.

Rusia kryen bombardimet e saj në Siri në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad. Shtetet e Bashkuara thonë se forcat e koalicionit e kishin vënë në shënjestër al-Adnanin gjatë sulmit në qytetin al-Bab. Pentagoni thotë se është ende duke bërë vlerësimin e sulmit.

Shteti Islamik njoftoi se dje përmes një deklarate të shkurtër se al-Adnani ishte vrarë “ndërsa po vëzhgonte operacionet ushtarake përreth Alepos”. Një zyrtar amerikan tha se al-Adnani ishte drejpërdrejtë i përfshirë në drejtimin e operacioneve ushtarake të Shtetit Islamik.

Sipas zyrtarit amerikan, ai kishte gisht në operacionet e Shtetit Islamik si sulmet në Paris, në Bruksel, në Stamboll, për rrëzimin e aeroplanit rus në Sinai, për sulmet vetëvrasëse në Ankara, apo për sulmin në Bangladesh.

Në këto sulme kanë humbur jetën 1800 persona dhe janë plagosur rreth 4000 të tjerë. Al-Adanini, 39 vjeç, ka lindur në Siri dhe ka qënë një prej figurave kryesore të rrjetit terrorist të al-Kaedës para se të bashkohej me Shtetin Islamik, ku mendohej se ishte numri dy i organizatës pas udhëheqësit të grupit Abu Bakr al-Baghdati.

XS
SM
MD
LG