Lidhje

Përdorimi i Kosovës si precedent nga Rusia

  • Keida Kostreci

Presidenti rus Vladimir Putin përdor shpesh argumentin se pavarësia e Kosovës krijoi një precedent që e justifikon aneksimin e Krimesë. Analogjia ka qenë gjithmonë e sforcuar, pasi siç thonë analistët pavarësia e Kosovës erdhi pas spastrimit etnik nga serbët dhe një procesi të gjatë ndërkombëtar. Asnjë nga këto elementë nuk ekzistonin para marrjes nën kontroll të Krimesë.

Kur Kosova shpalli pavarësinë, kishte lënë pas vite konflikti, spastrimi etnik, vuajtjet e refugjatëve, një periudhë protektorati nën administratën e UNMIK-ut dhe negociata të gjata me përfshirjen e Rusisë, përveç faktorit ndërkombëtar perëndimor. Ky proces u ndoq me durim hap pas hapi, megjithëse për komunitetin ndërkombëtar ishte bërë gjithnjë e më e qartë se Kosova nuk mund të rikthehej nën qeverisjen e Serbisë.

Prandaj, thotë Kurt Volker i Institutit McCain për Udhëheqje Ndërkombëtare, përdorimi i Kosovës si precedent nga ana e Rusisë, për të justifikuar jo vetëm aneksimin e Krimesë, por edhe Abkazinë dhe Osetinë Jugore, është një sajesë që nuk duhet marrë seriozisht.

“Ne duhet ta bëjmë të qartë se nuk ka krahasim mes asaj që ndodhi me Kosovën, si duke pasur parasysh spastrimin etnik, praninë ndërkombëtare atje dhe njohjen e saj, dhe asaj që ndodhi me Abkazinë, Osetinë Jugore dhe Krimenë”.

Daniel Serwer, studiues në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike, e quan këtë qëndrim të Putinit një analogji të çuditshme dhe të pasaktë.

“Nuk ka precedent në Kosovë për aktivitetin e njëanshëm të Rusisë dhe për pretendimin se po mbrohen rusisht-folësit, kur në të vërtetë nuk ka pasur keqtrajtim të tyre, veçanërisht në Krime ku nuk kishte asgjë të tillë”.

Në mungesë të ndonjë prove se banorët rusishtfolës të Krimesë po kërcënoheshin me mizori në duart e qeverisë ukrainase, zoti Serwer thotë se nuk ekziston një precedent që t’i japë Rusisë një avantazh.

“Në rastin e Krimesë kemi të bëjmë me gjeografi, me vullnetin për të përdorur forcën dhe për të frikësuar. Nuk është precedenti i Kosovës që ekziston në Krime, është agresion”.

Ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker shton se krejt ndryshe nga procesi që u ndoq për Kosovën, ajo që u bë në Krime ishte nxitje e kryengritjeve, futje e trupave ruse dhe aneksim i njëanshëm i territorit.

“Rusia po i bën ato që po bën për shkak të një perceptimi madhështie kombëtare dhe do që të pushtojë, të marrë nën kontroll territore fqinjë, të mbështesë qytetarë rusisht-folës në vende të tjera dhe pastaj përdor precedentin si justifikim”.

Që kur u shpall pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur se situata e saj në mos unike ishte e pazakontë dhe se ajo do të vlerësohej mbi vlerat e vetë rastit dhe nuk shërbente si precedent.

Megjithëse jo të gjithë janë dakord me këtë argumentim dhe disa vende evropiane nuk e kanë njohur Kosovën, pikërisht sepse druhen se lëvizjet separatiste brenda territorit të tyre mund ta përdorin atë si precedent, qëndrimi i Rusisë dhe i Vladimir Putinit ka ndryshuar.

Moska gjithmonë ka thënë se rasti i Kosovës mund të kthehej në precedent. Por nëse dikur ajo e përdorte këtë argument si paralajmërim se pavarësia e Kosovës do të shkelte ligjet ndërkombëtare, sot të njëjtën ngjarje po e përdor për të justifikuar një ndërhyrje që perëndimi e quan agresion.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG