Lidhje

Kampe stërvitore nacionaliste për rininë ruse


Politikat aktuale të Kremlinit për të nxitur ndjenja patriotike në popullatë duket se kanë ndihmuar në shtimin e organizatave të ekstremit të djathtë. Këto grupe ushqejnë cinizëm të hapur ndaj Perëndimit dhe kanë krijuar kampe stërvitore për rininë në përgatitje për një luftë të mundshme.

Në pyjet përreth Moskës, një 25-vjeçar pastron kallashnikovin. Ai quhet Sergei Andreev dhe ka themeluar një organizatë të quajtur “Anarkistët e Djathtë”, një grup nacionalistësh rusë që mblidhen për t’u përgatitur për një të ardhme të trazuar:

“Situata në botë është e paqëndrueshme. Këto manovra na ndihmojnë të mbijetojmë në situata të paqëndrueshme”.

Sergei thotë se organizata e tij nuk e mbështet Presidentin Vladimir Putin, pasi e konsideron po aq të korruptuar sa çdo udhëheqës tjetër.

“Nuk jemi as me Putinin, as kundër tij. Nuk jemi për Putinin sepse ai është si udhëheqësit e tjerë të botës moderne, do të grumbullojë para e burime për vete”.

Grupet nacionaliste ruse që kundërshtojnë Putinin janë të vogla në numër dhe nuk përbëjnë ndonjë shqetësim për qeverinë, thotë Andrei Kolesnikov, analist në Qendrën Carnegie të Moskës:

“Fakti që këto grupe veprojnë kaq hapur lë vend për shumë pyetje ligjore. Nuk mendoj se organet e sigurisë dhe të zbulimit nuk janë në dijeni të aktivitetit të tyre. Ata kanë simpatizues në qeveri dhe në strukturat e sigurisë. Megjithatë, nëse e teprojnë dhe bëhen kërcënim real për regjimin, aktiviteti i tyre do të marrë fund. Do të thoja se për momentin kjo është lojë, por një lojë shumë e rrezikshme”.

Kohët e fundit në Rusi është vërejtur një shtim i grupeve paraushtarake me tendenca nacionaliste. Shumë nga këto grupe imitojnë politikën e Kremlinit për “edukim patriotik” që ka marrë mbështetje të konsiderueshme me fonde gjatë viteve të fundit.

Elementët ultranacionalistë rusë u mobilizuan dukshëm gjatë konfliktit në Ukrainë, pas aneksimit të Krimesë. Konflikti në Ukrainë krijoi dy rajone të vetëshpallura autonome, Luhanskun dhe Donetskun. Këta elementë kanë themeluar Bashkimin e Rinisë Euroaziatike, një forum rinor i Partisë Euroazia që dërgoi vullnetarë për të luftuar në Ukrainën lindore, përkrah separatistëve rusë.

Anton Bryukov është udhëheqës i Bashkimit të Rinisë Euroaziatike:

“Jemi në një situatë, kur NATO-ja po u afrohet gjithnjë e më shumë kufijve tanë dhe rinia duhet të stërvitet për të parandaluar sulme. Prandaj ka kaq shumë njerëz që kërkojnë të marrin pjesë në këtë stërvitje”.

Aleksandr Dugin, ideolog i lëvizjes euroaziatike dhe udhëheqës i Partisë Euroazia mban lidhje të ngushta me Kremlinin. Ai thotë se acarimet vijnë nga politikat e Perëndimit ndaj Ukrainës:

“Mendoj se lufta me Ukrainën është e pashmangshme. Do të ndodhë herët a vonë. Unë isha i mendimit se ishte më mirë ta mbaronim sa më parë që të ishte e mundur”.

Analisti Andrei Koleskinov i Qendrës Carnegie në Moskë thotë se për momentin Kremlini po i mbështet këto lëvizje me fonde dhe forma të tjera, por situata mund të ndryshojë nëse këto grupe marrin fuqi të tepërt:

“Mendoj se ky qëndrim tolerant ndaj tyre mund të jetë një veprim taktik, pasi ideologjikisht të dyja palët janë aleatë. Por mënyra si veprojnë mund të jetë tepër radikale për Kremlinin. Nëse gjërat dalin jashtë kontrollit të Kremlinit, mund të përbëjnë kërcënim për qeverinë ruse; nëse mbeten nën kontroll, nuk përbëjnë kërcënim”.

XS
SM
MD
LG