Lidhje

Trupat ruse do patrollojnë kufijtë pranë NATO-s


Rusia thotë se do të dislokojë tre divizione trupash përgjatë kufijve të saj, si kundërpërgjigje ndaj rritjes së pranisë ushtarake të NATO-s në Evropën Lindore.

Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tha të mërkurën pas një takimi në Moskë se divizionet e reja do të vendosen përgjatë kufijve perëndimore dhe jugorë të Rusisë.

"Ministria e Mbrojtjes, po merr një sërë masash me synimin për t’iu kundërpërgjigjur konsolidimit të forcave të NATO-s në afërsi të kufijve me Rusinë. Deri në fund të vitit dy divizione të reja ushtarake do të formohen në distriktin ushtarak perëndimor dhe një në distriktin jugor. Në këtë moment, po bëhet ndërtimi i objekteve ku do të dislokohen këto njësi”, tha ministry Shoigu.

Ai nuk dha detaje për përmasat dhe kohën e dislokimit të ri rus, ose ku do të stacionoheshin trupat. Ai fillimisht e kishte përmendur planin për tre divizione të reja në Janar dhe njoftimet e medias ruse në atë kohë kishin njoftuar se bëhej fjalë për rreth 30 mijë trupa.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter tha këtë javë se NATO-ja po shqyrton mundësinë për stacionimi e rreth 4 mijë trupave në Poloni, si edhe në Lituani, Letoni dhe Estoni, të gjitha vende anëtare të NATO-s. Kjo do të ishte një shtesë për një dislokim që është autorizuar tashmë, të një brigade amerikane prej 4 mijë e 200 trupash, që do të dërgohet në Evropën Lindore në shkurt.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG