Lidhje

Navalni dhe politika në Rusi


Vitin e kaluar Alexei Navalny udhëhoqi protestat në rrugë kundër presidentit rus Vladimir Putin. Këtë vit, presidenti Putin reagoi. Zoti Navalny u gjykua nën akuzat për vjedhje të lëndëve drusore.

Dy javë më parë, ai u gjet fajtor dhe u dënua me pesë vjet burg. Kjo masë largon udhëheqësin më popullor të opozitës ruse nga gara e ardhëshme presidenciale.

Ditën pas dënimit, Navalni u lirua që të kandidonte për kryetar të bashkisë së Moskës. Lilia Shevtsova punon për Institutin Carnegie në Moskë.

“Ata duan që zgjedhjet e Moskës të jenë legjitime, pra të rizgjedhin Sergei Sobyanin duke i vënë përballë një konkurrent që mund të quhet i denjë.”

Ish shefi i stafit të presidentit Putin, Sergei Sobyanin u emërua kryetar i bashkisë së Moskës tre vjet më parë. Tani ai kërkon që në zgjedhjet e 8 shtatorit ta marrë këtë titull me meritë.

Por në qytet, ka një mbështetje të fortë për zotin Sobyanin, i cili po e ndryshon Moskën, duke krijuar rrugë si kjo për kalimtarët.

Vagan Davidyants është avokat.

“Duhet t’i japim atij 4 apo 5 vjet të tjera që të realizojë planet që ka, sepse dy vjet nuk mjaftojnë. Ai është në hapat e parë të ndryshimeve për Moskën. Unë do të votoj për të.”

Yuliya Zueva është e kenaqur me ndryshimet që sheh.

“Ka qënë drejtues i mirë në qytetin e tij. Kur erdhi në Moskë ai realizoi shumë nga punët që kishte planifikuar.

Por të tjerët thonë se politikat ruse kanë nevojë për ndryshime më shumë sesa për çimento. Pranë tendës së fushatës së zotit Navalny, kjo qytetare me emrin Maria thotë:

“Do të votoj për Navalnin, jo sepse ai është superhero, por sepse mendoj se ai është person real.”

Igor Tarasov shpërndan fletëpalosje për Navalnin.

“Navalni është kandidati që pëlqej sepse është më i hapur se kandidatët e tjerë. Besoj se me të qeveria do të bëhet më transparente, më demokratike dhe më properëndimore.”

Por një polic u përpoq të mbyllë tendën e Navalnit.

“Ai ndaloi aktivistët e tjerë të vijnë këtu. Ai donte të më arrestonte por i thashë se do të rrija këtu i vetëm dhe në bazë të ligjit tendat me një person nuk kanë nevojë për leje.” thotë Igori.

Në Rusinë e Vladimir Putinit, zakoni i vjetër nuk harrohet. Analistët parashikojnë se Kremlini do ta burgosë Navalnin pas zgjedhjeve të shtatorit. Por kësaj radhe, ai mund të shkojë në burg i përforcuar me votat e dhjetëra mijëra votuesve në kryeqytetin e vendit.






XS
SM
MD
LG