Lidhje

Pas vrasjes në Rusi të Boris Nemtsov


Rusët vazhdojnë të jetojnë nën peshën e vrasjes së bujshme që ndodhi të premten në qendër të Moskës, vetëm pak metra larg Kremlinit. Emri i zotit Nemtsov i është shtuar një liste të gjatë personash, të cilët mendohet se janë vrarë për shkak të kritikës së tyre të hapur ndaj udhëheqjes së Presidentit Putin.

Dje, radha e njerëzve që prisnin për t’i dhënë lamtumirën udhëheqësit të vrarë të opozitës Boris Nemtsov, ishte e pafund.

Në Qendrën Komunitare “Sakharov” që ishte mbushur plot me njerëz, kishte personalitete ruse dhe të huaja.

Ish-kryeministri Mikhail Kasyanov foli për trimërinë e zotit Nemtsov në kundërshtimin e hapur ndaj Presidentit Putin.

“Borisi nuk mundej të toleronte çfarë po ndodh në Rusi dhe të qëndronte duarkryq ndërkohë që qeveria aktuale zhvlerëson kushtetutën dhe mohon të drejtat e popullit rus. Ai dhe unë po luftonim kundër kësaj.”

Por, ashtu si me vrasjet e mëparshme politike, shumë pak mendojnë se do të kapet porositësi.

Nuk janë zbuluar ende personat pas vrasjes së gazetares Anna Politkovskaya, e cila kritikonte Presidentin Putin.

Sergei Sokolov kryeson investigimet në Novaya Gazjeta, ku punonte zonja Politkovskaya. Ai thekson se pesë gazetarë dhe një jurist i kësaj gazete janë vrarë që kur zoti Putin mori pushtetin.

“Është rritur ndjenja e mostolerimit ndaj kritikëve të regjimit. Sot askush nuk ndjehet i sigurtë.”

Mbështetësit e zoti Nemtsov fajësojnë makinerinë propagandistike të Kremlinit për krijimin e një atmosfere konspiracioni, histerie nacionaliste, dhe urrejtjeje ndaj Perëndimit dhe ndaj çdokujt në Rusi që kundërshton zotin Putin.

Zoti Sokolov thotë se kryehetuesi i Rusisë kërcënoi në vitin 2012 se do ta vriste atë vetë; një akuzë që tani e mohon.

Ai shton se shumë gazetarë rusë dhunohen fizikisht kur sfidojnë autoritetet, por thotë se është ende e mundur të gjendet e vërteta pas vrasjes së zotit Nemtsov.

“Nëse rasti do të hetohet nga persona që nuk do të shtiren sikur po hetojnë, atëherë ndoshta do të kemi mundësinë se kush ishin ekzekutuesit. Përsa i përket porositësit, varet se kush është.”

Si shumë udhëheqës të tjerë të opozitës, zoti Nemtsov mendohet se ishte nën monitorimin e shërbimeve ruse të zbulimit, dhe megjithatë u vra vetëm pak metra larg Kremlinit, që konsiderohet si një nga zonat më të sigurta në Rusi.

Zëdhënësi i komisionit hetimor rus, Vladimir Markin, thotë se po përdorin gjithçka të mundshme për të zbardhur vrasjen e zotit Nemtsov.

“Hetimi po ndjek të gjitha linjat e mundshme për këtë vrasje. Po merren në pyetje dëshmitarët, po shikohen filmimet e kamerave të sigurisë, dhe është marrë dhe një numër provash materiale.”

Gjatë përcjelljes në banesën e fundit të zotit Nemtsov, mbështetësit thërrisnin “Rusia do të jetë e lirë!”.

Ata thanë se Boris Nemtsovi, që ishte pjesë e opozitës ruse luftoi dhe humbi jetën pikërisht për këtë liri.

XS
SM
MD
LG