Lidhje

Rusi: Artistët kundër ligjit për fjalor të pahijshëm

  • Daniel Schearf

Rusia miratoi në korrik një ligj që kërcënon me gjobitje përdorimin e fjalëve të pahijshme në media, filma, letërsi, muzikë dhe teatër. Ky kufizim, më i ashpri që nga periudha sovjetike, synon të mbrojë gjuhën dhe kulturën ruse, dhe është mirëpritur nga ata që mendojnë se përdorimi i fjalorit sharës ka dalë jashtë kontrollit. Por, shumë artistë e kundërshtojnë këtë zhvillim si një gjest çensurues shpërfillës dhe joefikas në vazhdimësi të një zinxhiri ligjesh të moralit konservator.

Teatri rus doli nga propaganda e rreptë e epokës sovjetike si një forum shumë-ngjyrësh i debatit social dhe shprehive krijuese.

Por, një ligj i miratuar rishtazi kundër fjalorit sharës i gjobit teatrot deri në 1,400 dollarë nëse puna e tyre përmban fjalor që gjykohet i papërshtatshëm.

Mbështetësit e këtij ligji, si profesorja e Universitetit Shtetëror të Moskës, Anna Kuzmina, thonë se ligji do të ndihmojë në promovimin e një kulture më të mirë artistike.

“Mendimi im personal, dhe unë e mbështes këtë ligj, është se gjuha sharëse është shndërruar pothuajse në normë dhe madje ka marrë dhe një lloj sharmi. Njerëzit shpesh nuk lodhen të gjejnë fjalët, por flasin emocionalisht duke e shprehur veten me fjalë sharëse.”

Ligji gjithashtu ndalon shfaqjen në publik të filmave me fjalor sharës dhe i detyron librat ose albumet muzikore të kenë një emërtim paralajmërues.

Disa artistë janë dakort se me sharjet abuzohet për të tërhequr më shumë vëmendje, por shumica janë të vendosur kundër çdo forme çensure - përfshirë gjobat.

Elena Gremina është kryetarja e teatrit të pavarur Theatre-Doc, i cili refuzon të zbatojë këtë ligjtë miratuar në muajin korrik nga parlamenti rus, Duma.

“Parlamentit tonë i është vënë tashmë nofka e një "printeri të lajthitur" pasi ligjet në fushën e kulturës janë të pakuptimta dhe çdo ligj i ri që miratohet ka edhe më pak kuptim. Ato janë të palogjikshme, absurde, dhe është e pamundur të kuptosh arsyetimin e tyre.”

Disa prej gjigandëve historikë të letërsisë ruse, si Alexander Pushkin, kanë shfrytëzuar me shumë ngrohtësi përdorimin e fjalorit sharës.

Përpara se ligji të hynte në fuqi, dramaturgu Evgeniy Kazachkov ndihmoi në organizimin e një shfaqjeje komike të quajtur “Mirupafshim fjalëve me katër gërma”.

Por, ai thotë se ekzistojnë shqetësime serioze për këtë kufizim.

“Ekziston edhe një dyshim se ky ligj nuk do të përdoret si instrument kontrolli dhe ndëshkimi, por do të shënjestrojë disa raste të caktuara njerëzish të padëshiruar.”

Ligji shihet si pjesë e një lëvizjeje konservatore për të orientuar rininë ruse drejt një kulture më nacionaliste dhe të ndryshme nga Perëndimi liberal.

Vitin e kaluar, Duma e shpalli të paligjshme atë që e quajti “propagandë homoseksuale” dhe bëri gjithashtu përpjekje për të ndaluar fjalë të huazuara nga anglishtja në gjuhën ruse.

Drejtori i Teatrit Nikitsky, Mark Rozovsky, thotë se ligjvënësit rusë janë duke përdorur ligje mbi moralin për të devijuar vëmendjen e shoqërisë nga problemet reale dhe urgjente, me të cilat ata nuk duan të merren.

“Siç e dini, nuk mund të arrihet gjë nëpërmjet ndalimeve ligjore. Ato vetëm shkaktojnë rezultatin e kundërt ((e asaj që po mundohet të arrihet)). Është njësoj si atëherë kur luftonin kundër pirjes së vodkës. Në të njëjtën mënyrë, ata janë duke luftuar tani kundër gjuhës sharëse".

Rusia po e zhvendos tashmë edhe në internet betejën e saj kundër sharjeve duke planifikuar të përdorë gjatë javëve të ardhshme programe kompjuterike kundër sharjeve, që do të synojnë çrrënjosjen e gjuhës online që do të gjykohet e papërshtatshme.

Ministria ruse e Kulturës e refuzoi një kërkesë të Zërit të Amerikës për të komentuar në lidhje me çështjen.

XS
SM
MD
LG