Lidhje

Doktrinë e re për sigurinë e informacionit në Rusi


Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi dokumentin për një “doktrinë të re për sigurinë e informacionit”, e cila zëvendëson atë të vitit 2 mijë, kur ai erdhi në pushtet. Ekspertët në Moskë po thonë se dokumenti i ri reflekton politikat përherë e më shtypëse të Kremlinit ndaj medias dhe shoqërisë civile në përgjithësi.

Dokumenti 16-faqesh është përshkruar si “një udhëzues për planifikim strategjik me synimin për të forcuar sigurinë kombëtare” dhe “baza për formulimin e politikës shtetërore dhe zhvillimin e marrëdhënieve me publikun në fushën e sigurisë së informacionit.”

Ekspertët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, të cilët formuluan doktrinën e re e përshkruajnë mjedisin e informacionit në Rusi thuajse sipas stilit ushtarak. Atje thuhet se shtetet e huaja po i fuqizojnë aktivitetet e tyre të zbulimit me objektiv Rusinë dhe se janë duke u shtuar kërcënimet nga përdorimi i teknologjisë së informacionit, me synimin për të dëmtuar sovranitetin, integritetin territorial, si dhe stabilitetin politik dhe social të Federatës Ruse. Ekspertët thonë se dokumenti tregon një mungesë të plotë të besimit ndaj gjithçkaje të huaj nga autoritetet ruse.

Sipas dokumentit, "shërbimet e veçanta të shteteve të caktuara" janë duke zgjeruar mënyrat e "ushtrimit të presion informativo-psikologjik që ka për qëllim destabilizimin e situatës së brendshme politike dhe sociale në rajone të ndryshme të botës që çojnë në minimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve të tjera. Këto aktivitete përfshijnë organizata fetare, etnike, organizatat e të drejtave të njeriut dhe grupe të veçanta qytetarësh, dhe kjo realizohet përmes përdorimit të gjërë të kapaciteteve të teknologjisë së informacionit."

Në dokument thuhet se mediat e huaja gjithnjë e më shumë po përdorin materiale që përmbajnë “vlerësime të njëanshme” të politikave të qeverisë ruse, dhe se mediat ruse janë shpesh viktima të "diskriminimit të hapur" jashtë vendit, ku "janë krijuar pengesa" për gazetarët rusë të ciët po përpiqen të bëjnë punën e tyre.

Në dokument gjithashtu thuhet se "presioni informativ" mbi rusët, veçanërisht të rinjtë, është në rritje, "me qëllim dobësimin e vlerave ruse tradicionale, shpirtërore dhe morale", dhe se kësaj prirjeje i duhet rezistuar.

Dokumenti bën thirrje për "zhvillimin e një sistemi kombëtar të menaxhimit të segmentit rus të internetit", duke argumentuar se "burimet e nevojshme për të siguruar funksionimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të internetit" nuk janë shpërndarë në mënyrë të duhur mes vendeve, duke e bërë të pamundur menaxhimin e internetit në bazë të "parimeve të barazisë dhe besimit reciprok".

Duke komentuar mbi doktrinën e re ruse të sigurisë së informacionit, një nga themeluesit e internetit rus, Anton Nosik, i tha Zërit të Amerikës se ajo është një produkt i psikologjisë dhe ideologjisë së udhëheqjes së vendit. Ai thotë se udhëheqësit e Rusisë besojnë në një teori konspirative që përfshin "Planin Dulles", një plan fiktiv për shkatërrimin sekret të Bashkimit Sovjetik përmes minimit të trashëgimisë së tij kulturore dhe vlerave morale, një teori e hedhur nga drejtori i CIA-s Allen Dulles gjatë kohës së Luftës së Ftohtë.

"Nga kjo pikëpamje Plani Dulles me të vërtetë ekziston, ata e cilësojnë si mision të tyre luftën historike kundër çdo gjëje, që sipas mendimit të tyre, është pjesë e Planit të Dulles-it," thotë Nosik.

Ai gjithashtu thotë se dokumenti i sigurisë së informacionit pasqyron mosbesimin e plotë të çdo gjëje të huaj nga ana e autoriteteve ruse.

"Ata kanë një parim: i huaji është armik, agjent i një qeverie të huaj, dhe çdo veprim i një personi të huaj bëhet në interes dhe me urdhër të drejtpërdrejtë të një qeverie të huaj," thotë Nosik. "Dhe qëllimi i vetëm i të gjitha qeverive të huaja është dëmtimi i interesave të Rusisë."

Megjithatë, Nosik thotë se doktrina e re e sigurisë së informacionit do të ketë pak "kuptim praktik" në jetën e përditshme.

Maria Lipman, kryredaktore e “Counterpoint”, një revistë me qendër në Moskë që botohet nga Universiteti George Washington, thotë gjithashtu se dyshon se doktrina e re e sigurisë së informacionit do të udhëheqë veprimet e autoriteteve. Megjithatë, zonja Lipman thotë se doktrina e re pasqyron qasjen gjithnjë e më represive të autoriteteve ndaj mediave dhe lirisë së shprehjes në përgjithësi, që nga rizgjedhja e Vladimir Putinit në postin e presidentit të Rusisë në vitin 2012.

"Prirjet e dukshme në këtë dokument pasqyrojnë atmosferën e përgjithshme të katër viteve të fundit," thotë ajo. "E kam fjalën për ndryshimet në politikën e brendshme që kanë ndodhur pas rikthimit të Vladimir Putinit në Kremlin. Ligjet represive, veprimet kundër atyre që mbështesin të drejtën dhe lirinë e tubimit, protestave, presioni mbi shtypin e pavarur, mbi mediat që bëjnë të pamundurën për të mos u bërë organ i qeverisë dhe për të vepruar në bazë të standarteve profesionale dhe etike."

Sipas zonjës Lipman, qeveria ka filluar të ndërhyjë në fushat që nuk u prekën pas rënies së Bashkimit Sovjetik, "sfera e jetës personale, preferencat seksuale dhe fetare, dhe çdo gjë që ka të bëjë me artin dhe kulturën."

"E gjithë kjo është duke u bërë nën pretekstin e ruajtjes së shtetit," thotë ajo. "Duke pasur parasysh këtë sfond, doktrina sigurisë së informacionit nuk duket e çuditshme apo diçka e re, dhe nuk nënkupton një rritje të shtypjes."

Kryetari i bordit të Qendrës së Kujtesës për të Drejtat e Njeriut, Alexander Cherkasov, i tha Zërit të Amerikës se as ai nuk ishte i habitur që doktrina e re e sigurisë së informacionit i sheh aktivistët rusë të të drejtave të njeriut si agjentë të shërbimeve të huaja të sigurisë.

"Ata besojnë se çdo veprim i pavarur është automatikisht armiqësor," thotë ai, duke shtuar se kjo pikëpamje në fund do të ketë pasoja të rënda për Rusinë.

"Në botën e sotme, pa reagime, pa përmirësimin e politikave në bazë të kritikave nga partitë politike, media e pavarur dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, shteti automatikisht do të shkonte drejt marrjes së vendimeve të gabuara, drejt nxitjes së llojeve të ndryshme të prirjeve të gabuara dhe, në fund, drejt kolapsit," tha zoti Cherkasov.

XS
SM
MD
LG