Lidhje

Moskë: Marshim për nder të Boris Nemtsovit


Mijëra njerëz u mblodhën sot në qendër të Moskës për një marshim për të nderuar udhëheqësin e vrarë të opozitës Boris Nemtsov.

Shumë prej tyre mbanin parulla ku thuhej “Nuk kam frikë” për nder të politikanit liberal dhe kritikut të Presidentit Vladimir Putin. Organizatorët thonë se 70,000 vetë morën pjesë në marshim, por policia e Moskës tha se turma ishte shumë më e vogël, rreth 16 mijë.

Autoritetet ruse, zakonisht janë të ngadaltë në dhënien e lejeve për mitingje të mëdha të opozitës, por ata miratuan shpejtë lejen për marshimin e sotëm përkujtimor. Boris Nemtsov sot pritej të drejtonte një tubim në Moskë kundër luftës në Ukrainë dhe kundër presidentit Putin. Në vend të kësaj, rreth 50 mijë njerëz u mblodhën për të nderuar njeriun që Presidenti amerikan Barak Obama e ka quajtur një "aktivistë të palodhshëm" për të drejtat e popullit rus. Policia është në kërkim të autorëve të vrasjes së zotit Nemtsov, i cili u qëllua katër herë nga një makinë, ndërsa ai dhe një grua që po shoqëronte atë po ecnin të premten në mbrëmje në një urë mbi lumin Moska, afër Kremlinit. Gruaja që po shoqëronte atë nuk u lëndua. Njerëzit vazhdojnë të vendosin lule në vendin ku Nemtsov u vra.

Boris Nemtsov kishte në plan të drejtonte një tubim kundër luftës dhe kundër preisdentit rus Vladimir Putin para se ai të vritej të premten në mbrëmje në afërsi të Kremlinit.

Deri më tani, nuk ka patur arrestime në lidhje me vrasjen. Një zëdhënës i qeverisë për hetimin e vrasjes thotë se po shqyrtohen teori të shumta për vrasjen, duke përfshirë një lidhje të mundshme me ekstremistët dhe Ukrainën.

Policia thotë se ata kanë marrë në pyetje një grua nga Ukraina me të cilën Nemtsov ishte duke u shoqëruar në kohën e vrasjes. Ajo nuk u lëndua nga sulmi.

"Ne po hetojmë lidhjen e mundshme me Ukrainën. Nuk është një sekret që në mesin e dy palëve në konflikt ka radikalë të cilët nuk respektojnë urdhërat e autoriteteve. Sigurisht që ne nuk përjashtojmë versionet e tjera të lidhura me aktivitetet e tij në fushën e biznesit, konfliktet personale, dhe arsye të tjera të brendshme", thotë Vladimir Markin, zëdhënës i komisionit hetimor.

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se të sulmi duket si një vrasje me pagesë, dhe e ka quajtur atë një "provokim".

Një analist i pavarur politik rus thotë se vrasja Boris Nemtsovit flet më shumë për rreziqet e aktivitetit kundër qeverisë.

"Boris Nemtsov ishte viktimë e një atmosfere të veçantë në shoqërinë ruse, ku të jesh një kritik i autoriteteve është pothuaj sikur të jesh një kriminel, ku dhuna është mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve, ku shoqëria e shikon veten si një kështjellë të fortifikuar", thotë analisi i pavarur politik, Konstantin Von Eggert.

Boris Nemtsov ishte zëvendës kryeministër i vendit në vitet 1990, dhe shumë analistë rusë e kanë konsideruar atë si një pasues të presidentit të arëhershëm Boris Jeltsin.

Pasi zoti Jeltsin zgjodhi Vladimir Putinin si pasardhës të tij, dhe pasi zoti Putin fitoi zgjedhjet e vitit 2000, Nemtsov u bë një nga kritikët më të zëshëm të Putinit në Rusi, veçanërisht që nga fillimi i kryengritjes së vitit të kaluar në Ukrainë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG