Lidhje

Rusia intensifikon përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit në Siri


Rusia thotë se po intensifikon përpjekjet për t’i dhënë fund kryengritjes së përgjakshme 21-mujore në Siri, aleati i saj në Lindjen e Mesme. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Aleksandër Lukashevich u tha gazetarëve sot se Moska po intensifikon dialogun me qeverinë siriane dhe grupet opozitare.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse Alexander Lukashevich foli menjëherë pasi një delegacion sirian, i kryesuar nga Zëvendësministri i Jashtëm Faisal Maqdad, u takua me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Moskë. Delegacioni pritet të diskutojë propozimet e të dërguarit ndërkombëtar për Sirinë Lakhdar Brahimi, i cili të hënën zhvilloi bisedime me presidentin sirian Bashar al-Asad.

Duke folur sot në Damask, zoti Brahimi mohoi njoftimet se ai kishte një plan për paqen që mbështetet nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara për ta diskutuar me Sirinë.

“Disa zëra brenda dhe jashtë Sirisë thonë se unë kam ardhur këtu për t’i bërë reklamë një projekti ruso-amerikan. Do të uroja që kjo të ishte e vërtetë. Nuk ka asnjë projekt ruso-amerikan, prandaj unë nuk kam ardhur këtu për t’i bërë reklamë atij”.

Lakhdar Brahimi pritet të shkojë në Moskë të shtunën për bisedime me udhëheqësit rusë.

Ndërkohë, gjenerali Abdul-Aziz Jassem al-Shallal, kreu i policisë ushtarake të Sirisë, të mërkurën tha në një stacion televiziv pan-arab se ai kishte “dezertuar” dhe është bashkuar me opozitën.

Departamenti amerikan i Shtetit mirëpriti njoftimet për dezertimin e gjeneralit al-Shallal duke thënë se nëse njoftimet janë të vërteta, kjo do të jetë “edhe një shenjë se” regjimi sirian është “duke u shkatërruar nga brenda”.
XS
SM
MD
LG