Lidhje

Putin fajëson rebelët për viktimat në Siri


Presidenti rus Vladimir Putin thotë se viktimat civile në Siri janë shkaktuar nga “forcat kryengritëse dhe mbështetësit e huaj” dhe jo nga presidenti sirian Bashar al-Assad.

Në një intervistë të botuar sot në të përditshmen gjermane “Bild”, zoti Putin thotë se presidenti Assad lufton vetëm me ata që kundërshtojnë me armë qeverinë. Presidenti rus thotë se ndërsa presidenti sirian “ka bërë shumë gabime” gjatë luftës 5-vjeçare në vend, ai nuk ka përgjegjësi për përmasat e dhunës atje.

"Konflikti nuk do të kishte patur kurrë përmasa kaq të mëdha, në se ai nuk do të ishte nxitur nga forca jashtë Sirisë me armatime, financime dhe luftëtarë”, - thotë në intervistën për gazetën “Bild” zoti Putin. “Dhe kush mban përgjegjësi për këtë? Qeveria e Assadit që përpiqet ta mbajë vendin të bashkuar? Apo rebelët, që duan ta shkatërrojnë atë dhe të luftojnë kundër qeverisë?”- thotë zoti Putin.

Rusia është aleate me Sirinë dhe në fund të shtatorit ajo filloi një fushatë ajrore, të cilën vendet perëndimore e kanë kritikuar se synon të luftojë me forcat rebele dhe jo me militantët e Shtetit Islamik. Presidenti Putin tha se avionët luftarakë rusë nuk bombardojnë civilët dhe se Rusia ka fakte që provojnë të kundërtën.

XS
SM
MD
LG