Lidhje

Rusia nuk mirëpret refugjatët sirianë


Ndërsa mijëra refugjatë sirianë vazhdojnë të ikin nga lufta civile, duke shkuar drejt vendeve fqinje dhe Evropës, Rusia është një destinacion i rrallë për ta, pavarësisht lidhjeve të saj me Damaskun.

Sulmet e vazhdueshme ajrore të Rusisë në Siri kanë ngritur shqetësime të shumta, duke përfshirë edhe shqetësimin se ato po shkaktojnë një largim më të madh të refugjatëve drejt Turqisë dhe Evropës.

Por jo në Rusi, ku dhënia e azilit të përkohshëm për sirianët që shkojnë atje është e zakonshme, por jo dhënia e statusit të refugjatit"

"Kam patur statusin e përkohshëm të azilit për tre muaj për shqyrtimin e rastit tim, por kërkesa ime u refuzua" - thotë një refugjat.

Punonjësit humanitarë thonë se autoritetet po pakësojnë zgjatjen e periudhave të azilit, duke detyruar shumë prej tyre të largohen nga vendi ose të qëndrojnë në vend në mënyrë të paligjshme:

"Rusia ka ratifikuar konventën për refugjatët dhe ka marrë përsipër përgjegjësinë për t’i pranuar ata. Natyrisht që ajo duhet të bëjë më shumë".

Një familje siriane nga Iraku është bllokuar në një aeroport të Moskës që nga shtatori, pavarësisht aplikimit për azil.

Autoritetet ruse i akuzojnë ata se kanë përdorur pasaporta të rreme, të cilat janë konfiskuar.

Nëna, me origjinë nga Kazakistani, ka një motër në Rusi dhe foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it:

"Nuk ka banjo për pastrim, nuk ka rroba të pastra, fëmijët janë të sëmurë dhe ata na thonë:" kjo nuk është Evropë, ne nuk do t’ju pranojmë si refugjatë." Por ku mund të shkojmë tani?"

Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se më pak sirianë po kërkojnë azil në Rusi se sa në fillim të konfliktit:

"Ndryshe nga Perëndimi ku njerëzit kanë një traditë të pritjes së azilkërkuesve dhe refugjatëve në shtatë dekadat e fundit, këtu ky është një fenomen mjaft i ri. Pra, refugjatët janë vetëm të huaj dhe emigrantë. Ata nuk e shikojnë këtë çështje nga pikëpamja ligjore dhe ajo e të drejtave të njeriut".

UNHCR-ja thotë se sulmet ajrore të Rusisë nuk ka të ngjarë të shtojnë numrin e refugjatëve që shkojnë në Rusi, sepse ata që janë kundër Damaskut e dinë se qeveria ruse nuk është në anën e tyre.

XS
SM
MD
LG