Lidhje

Rusia nxjerr në gjyq piloten ukrainase


Një pilote ukrainase e akuzuar për vdekjen e dy gazetarëve rusë vitin e kaluar në Ukrainë lindore i ka mohuar zyrtarisht akuzat e ngritura nga prokurorët rusë, duke i quajtur ato të sajuara.

Pilotja Nadiya Savchenko foli të martën nga një kafaz xhami brenda një salle gjyqi në Rusinë jugperëndimore, në hapjen e gjyqit të saj.

"Dua ta them edhe një herë se unë nuk kam të bëjë asgjë me vrasjen e gazetarëve. Unë u rrëmbeva nga shërbimet speciale ruse dhe më sollën me forcë. Nuk kam asnjë arsye për të besuar në gjykatën ruse dhe drejtësinë ruse."

Pilotja Savchenko është bërë simbol i rezistencës ukrainase ndaj pranisë së Rusisë në lindje të Ukrainës, ku separatistët pro-Moskës nisën një rebelim kundër qeverisë së Kievit në prill 2014.

Ajo përballet me 25 vjet burg nëse shpallet fajtore për akuzat se ka vepruar si vrojtuese ajrore vitin e kaluar në lindje të Ukrainës për të ndihmuar trupat tokësore të sulmonin gazetarët me mortaja.

Të martën në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe tre përfaqësues të Bashkimit Evropian, së bashku me motrën e Savchenkos.

Shtetet e Bashkuara e kanë përshkruar Savchenko si një gur shahu në ballafaqimin e Moskës me qeverinë e Kievit, dhe kanë bërë thirrje për lirimin e saj. Gjithashtu, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit dhe Komisioni amerikan i Helsinkit i kanë kërkuar Moskës të lirojë piloten ukrianase.

Në thirrjen e tij, ligjvënësi Sandy Levin thotë se zonja Savchenko përfaqëson shpirtin e pavarur e të lirë nga ndërhyrjet të një Ukriane që përpiqet për shtetin ligjor dhe demokraci. Ndërsa, ligjvënësi Chris Smith, kryetar i komisionit të Hejsinkit, e quan Nadya Savchenkon një viktimë të mosrespektit të qeverisë ruse ndaj dinjitetit njerëzor, dhe që manifestohet me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës e cila dëshiron të mbetet e llirë, e pavarur dhe demokratike.

XS
SM
MD
LG