Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe kriza në Ukrainë


Rusia thotë se do të ketë pasoja nëse Uashingtoni vendos sanksione të reja ndaj Moskës për shkak të krizës në Ukrainë. Zëvendës Ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov fajësoi sot "ndjenjat anti-ruse" në Uashington për projekt-ligjin e ri që autorizon dhënien e ndihmës ushtarake për Kievin dhe thellimin e sanksioneve kundër Rusisë. Përgjigja e Moskës i paraprinë takimit të së hënës në Romë mes Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov, ku kriza në Ukrainë do të jetë pjesë e diskutimeve.
Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha dje se një armëpushim i brishtë mes forcave qeveritare dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia duket se po zbatohet në Ukraninën lindore të shkatërruar nga lufta.

Një ushtar ukrainas pranë vijës së parë të frontit përshkruan situatën.

"Pozicionet e para janë më tej, ndërsa armiku ndodhet 300-400 metra larg. Në katër ditët e fundit ishte qetësi e plotë".

Disa ushtarë kanë pak besim se separatistët do të respektojnë paqen.

"Separatistëve gjithmonë u mbaron municioni, kështu që ata sjellin më shumë muncion. Pra, kush ka nevojë më shumë për këtë armëpushim ne apo separatistët. Ne duhet të bëjmë rezistencë deri në fund".

Presidenti Poroshenko i ka bërë thirrje Rusisë që të mbyllë kufirin e saj me Ukrainën, duke thënë se nëse Moska do ta bënte këtë, "paqja dhe stabiliteti" në vendin e tij do të vendosej brenda disa javëve.

Kievi dhe qeveritë perëndimore e akuzojnë Moskën se po ndihmon drejtpërdrejtë rebelët pro-rusë që po kërkojnë autonomi në Ukrainën lindore. Kremlini i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe pohon se ushtarët rusë që po luftojnë me rebelët janë vullnetarë.

XS
SM
MD
LG