Lidhje

Sanksione më të ashpra ndaj Rusisë?


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Sekretari i Jashtëm britanik Uilliam Hague thonë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do ta godasin Rusinë me sanksione ekonomike shumë më të ashpra nëse ajo përpiqet të prishë zgjedhjet presidenciale të javës së ardhshme në Ukrainë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit Scott Stearns njofton nga Londra, ku dy zyrtarët diskutuan mbi krizën në Ukrainë me ministrat e jashtëm të Francës, Italisë dhe Gjermanisë.

Sekretari i Jashtëm Hague tha se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë duke përgatitur sanksione më të gjera kundër Rusisë nëse ajo ndërhyn në votimet e 25 majit të Ukrainës për të zgjedhur një qeveri të re.

"Sjellja e Rusisë ndaj zgjedhjeve do të përcaktojë nëse do të ketë ose jo sanksione më të gjera ekonomike dhe tregtare."

Separatistë prorusë kanë marrë nën kontroll ndërtesa qeveritare në të gjithë Ukrainën Lindore, duke deklaruar pavarësi në dy rajone dhe duke hedhur poshtë planet për zgjedhjet e javës së ardhshme. Zoti Hague nuk tha se cilat veprime të mundshme të Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhje mund të shkaktonin sanksione të mëtejshme.

"Ne nuk mund dhe nuk do të donim të jepnim një përkufizim të saktë të kësaj. Nëse ne vendosim një vijë të kuqe, atëherë Rusia do ta dinte që mund të shkojë deri pranë asaj vije të kuqe pa pësuar sanksione."

Sekretari Kerry thotë se mesazhi për Moskën është i thjeshtë.

"Të lejojë Ukrainën të votojë. Të lejojë popullin ukrainas të zgjedhë të ardhmen e vet. Dhe të lejojë që ata të mund ta bëjnë këtë përmes zgjedhjeve të drejta, të hapura e të lira."

Shqetësimet për sanksionet kundër naftës dhe gazit rus të do të kishin një ndikim shumë më të madh për evropianët sesa në Shtetet e Bashkuara, thotë profesori i Universitetit amerikan Keith Darden.

"Është e lehtë për ne të themi ‘le të vendosim sanksione’ sepse na kushton shumë pak dhe pasojat do të ishin më të mëdha për të tjerët. Për evropianët këto janë sanksione të kushtueshme. Pra, atyre do t’u duhet një vullnet i shumë i fortë politik për të nxitur një veprim të tillë. "

Sekretari Kerry thotë se shpreson të shmangë sanksione më të ashpra dhe të ketë ndihmën e Rusisë për uljen e tensioneve të krizës.

"Shpresa jonë është që Rusia të na bashkohet në inkurajimin për votimet, që Rusia të inkurajojë separatistët prorusë të punojnë brenda procesit që tashmë është hapur dhe për të cilin Rusia ka ndihmuar duke insistuar, shpresojmë që këtij procesi t’i jepet tashmë një shans për të funskionuar."

Të mërkurën Ukraina nisi bisedime për bashkim kombëtar, pa pjesëmarrjen e separatistëve prorusë. Kerry thotë se procesi është pjesë e "planeve serioze dhe konkrete" për rritje të autonomisë dhe decentralizimit. Rusia thotë se shqetësohet për të drejtat e popullatës rusisht-folëse në krahinat lindore të Ukrainës. Sekretari Kerry thotë se niveli i vetë-qeverisjes që po ofrohet nga Kievi "tejkalon çdo nivel autonomie apo decentralizimi që ekziston në çdo zonë të Rusisë."
XS
SM
MD
LG