Lidhje

Basti politik e ushtarak i presidentit Putin

  • Jeff Seldin

Megjithë përparimin e dukshëm në bisedimet me Rusinë për të ardhmen e Sirisë, zyrtarët perëndimorë vazhdojnë të jenë të alarmuar nga roli gjithnjë e më i prerë dhe i paparashikueshëm i Moskës në çështjet ndërkombëtare.

Për vite me radhë, Presidenti rus Vladimir Putin e ka prezantuar veten si dikush që ka një plan, që nuk ka frikë të tregojë muskujt ose fuqinë ushtarake të vendit të tij. Siria është vetëm shembulli i fundit në këtë drejtim.

“Ne kemi më shumë mjete ushatarake. Dhe nëse është e nevojshme do t’i përdorim”, shprehej ai së fundmi.

Por ndërsa zoti Putin flet për “ne” dhe “Rusinë”, në perëndim, pjesa më e madhe e vëmendjes është tek vetë udhëheqësi rus, siç thotë Robert Cardillo, Agjencia Kombëtare Amerikane e Zbulimit Gjeospacial.

“Putini në veçanti, sepse në fakt në ditët e sotme Putini është Rusia, beson se është një padrejtësi që Rusisë i është ulur pesha në skenën globale”.

Dhe ekziston frika se ky është vetëm fillimi për udhëheqësin rus.

“Mendoj se Putini do të bënte të pamundurën për të rikthyer dominancën ruse mbi Evropën Lindore, vendet e Balltikut dhe madje edhe mbi Evropën Perëndimore po t’i jepej mundësia”, thotë ish-drejtori i CIA-s, James Woolsey.

Përveçse do ta vendoste Rusinë në qendër të vëmendjes, qëndrimi i prerë i Putinit do të forconte edhe industrinë ushtarake të Rusisë dhe të rriste shitjet për Afganistanin dhe Irakun.

Por në vende si Siria, rreziku është i konsiderueshëm.

“Nëse ai dështon, kjo do ta dobësonte legjitimitetin e tij në vendin e tij. Dhe për momentin, legjitimiteti i tij mbështetet tek aftësia për të treguar se është në udhëheqës i fortë”, thotë John Herbst, ish-ambasador amerikan në Ukrainë.

Zyrtarë dhe ish-zyrtarë paralajmërojnë se nga perspektiva perëndimore, dëmi që po shkakton Rusia nuk është e lehtë të zhbëhet.

“Tani që ata po formalizojnë aleancën me Iranin, Hezbollahun dhe Sirinë, kjo i bën këto vende dhe këtë organizatë të huaj terroriste shumë më të afta dhe shumë më të rrezikshme”, thotë Christopher Harmer i Institutit për Studimet e Luftës

Për Presidentin Vladimir Putin, një gjë e tillë është thjesht pjesë normale e punës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG