Lidhje

Amerika mbështet përpjekjet e Rusisë për anëtarësim në OBT

  • Andre Nesnera

Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm përpjekjet e Rusisë për t’u bërë anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Organizata Botërore e Tregtisë është agjencia ndërkombëtare që mbikqyr rregullat e tregtisë ndërkombëtare. Ajo u themelua në vitin 1995, duke zëvëndësuar organizatën e njohur si Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregëtinë.

David Christy është ekspert i tregtisë me firmën ligjore "DLA Piper" këtu në Washington:

"Organizata Botërore e Tregtisë përbën një seri marrëveshjesh, që administrojnë gati të gjitha aspektet e tregëtisë ndërkombëtare në artikuj dhe shërbime, duke përfshirë edhe pasurinë intelektuale dhe zbatimin e të drejtave të kësaj pasurie. Gjithashtu kjo është një organizatë me seli në Gjenevë, që zbaton ose ndihmon në zbatimin si dhe mbikqyr funksionimin e këtyre marrëveshjeve. Ajo përfshin tani 153 vende të ndryshme. Ekonomitë më të mëdha që nuk janë pjesë e Organizatës Botërore të Tregëtisë janë Rusia dhe Irani."

Anders Aslund, ekspert i tregtisë dhe çështjeve ruse në Institutin Peterson për ekonominë ndërkombëtare me seli këtu në Uashington, thotë se kriteret për t’u anëtarësuar në organizatë janë të shumta:

"Organizata Botërore e Tregtisë është një klub dhe së pari një vend anëtar duhet të pranojë të gjitha rregullat. Më pas duhet të zgjidhen disa çështje protokolli dhe kjo kërkon shumë negociata. Vendet anëtare shikojnë ligjet e vendit të mundshëm anëtar nëse ato janë në përputhje me rregullat e organizatës dhe disa prej këtyre ligjeve duhen ndryshuar. Rusia për shembull ka ndryshuar të paktën 100 ligje ose ka miratuar kode të reja doganash në përpjekje për t’u pranuar anëtare e organizatës."

Rusia filloi zyrtarisht përpjekjet për anëtarsim në OBT në vitin 1993. Zoti Aslund thotë se historia e negociatave të Rusisë është shoqëruar me zigzage:

"Deri në vitin 2000, Rusia nuk e mori me shumë seriozitet aplikimin e antarësimit dhe nuk bëri përpjekje të mjaftueshme. Mund të thuhet se Rusia u përpoq më shumë në periudhën 2000-2003. Madje gjatë mandatin e tij të dytë, Presidenti Vladimir Putin deri diku humbi interesimin për anëtarësim në OBT dhe nuk bëri shumë përpjekje në këtë drejtim."

Ekspertët thonë se Presidenti rus Dmitri Medvedev ka bërë shumë përpjekje për të siguruar antarësimin në organizatën botërore, madje e ka afruar vendin e tij drejt këtij objektivi.

Robert Legvold i Universitetit Columbia në New York thotë se zoti Medvedev nuk mori shumë ndihmë nga kryeministri Vladimir Putin:

"Gjërat u ndërlikuan verën e vitit të kaluar pikërisht në kohën kur mendonim se ishin afër antarësimit të Rusisë në OBT; shumica e njerzve të presidentit Medvedev po flisnin se anëtarësimi ishte diçka gati në përfundim. Dhe pa pritur, në fillim të qershorit 2009, kryeministri Putin tha, 'Ne do të bëhemi anëtar vetëm si një union mes Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit'. Kjo deklaratë bëri që anëtarësimi të shtyhej për 8-9 muaj deri në janar-shkurt të këtij viti, kur pengesat duket se janë kapërcyer."

Shumë ekspertë thonë se Rusia nuk ka qenë kurrë më afër anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë, megjithëse i mbeten disa çështje për t’u zgjidhur.

Gjatë takimit të nivelit të lartë muajin e kaluar në Uashington, Presidenti Barak Obama i tha Presidentit Medvedev se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Rusisë për anëtarësim në OBT:

"Ia theksova Presidentit Medvedev, ia theksova të gjithë delegacionit të tij dhe tani dua t’ia theksoj popullit rus se ne mendojmë se nuk është vetëm në interesin e Federatës Ruse, për është edhe në interesin e Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë botës që Rusia të jetë enëtare e OBT-së. Pra kjo është diçka që duam ta përfundojmë."

Presidenti Medvedev tha se ekzistojnë vetëm disa probleme teknike, që duhen zgjidhur, madje ai shfaqi shpresën se ato do të zgjidhen deri në fund të shtatorit. Por disa ekspertë thonë se fundi i shtatorit mund të jetë një afat tepër optimist.

XS
SM
MD
LG