Lidhje

Opozita ruse, marshim paqësor për Ukrainën


Përkrahës së opozitës dhe demonstrues kundër luftës marshuan në kryeqytetin rus dje, duke bërë thirrje për paqe në Ukrainë dhe për t’i dhënë fund mbështetjes së ushtrisë ruse për separatistët.

Mijëra rusë dolën në rrugët e Moskës për herë të dytë këtë vit, duke kërkuar që Kremlini t’u japë fund veprimeve ushtarake në Ukrainë. Por shumë nga marshuesit përveç paqes në Ukrainë, kërkojnë edhe ndryshim politik në Rusi.

Një pjesëmarrës në marshim, thotë se indinjohet kur sheh Presidentin Vladimir Putin dhe elitën e Kremlinit të angazhohen në “aktivitete politike shkatërrimtare”.

“Mendoj se është një gabim i madh. Ai po e zhyt Rusinë në kaos, anarki, nacionalizëm dhe fashizëm. Dhe nuk duhet të jetë kështu”.

Grupe të vogla protestuesish shanin marshuesit e paqes, duke i quajtur tradhëtarë dhe fashistë që mbështesnin Kievin në vend të separatistëve pro-rusë në Ukrainë. Por është presidenti Putin, që po sillet si diktator, thotë udhëheqësi i opozitës dhe organizatori i marshimit të paqes, Boris Nemtsov.

“Ai gënjen për t’u hakmarrë ndaj revolucionit të Ukrainës, kur ukrainasit dolën në rrugë dhe rrëzuan nga pushteti hajdutin e korruptuar, Presidentin Yanukovych. Presidenti Putin ka frikë se kjo mund të përsëritet në Rusi. Përveç kësaj ai mendon se nëse Ukraina ka sukses në rrugën drejt Evropës, kjo do të ishte kërcënim për pushtetin e tij”.

Policia konfiskoi disa pankarta protestash që u konsideruan shumë kritike ndaj presidentit Putin dhe veprimeve të Rusisë në Ukrainë. Megjithëse masat e sigurisë ishin të rrepta, disa përplasje ndodhën kur disa individë sulmuan marshuesit e paqes.

Pavarësisht nga imazhi i forcës, opozita ruse e pranon se është një zë i pakicës që u dobësua mjaft pas protestave të para disa viteve kur kërkuan dorëheqjen e Presidentit Putin.

Radhët e tyre janë pakësuar nga shtypja e Kremlinit, propaganda dhe nacionalizmi, thotë Nemtsov.

“Së pari, shumë njerëz janë shtypur dhe persekutuar. Së dyti, gjendja e mirë ekonomike e lejoi Putinin që t’ua mbyllte gojën atyre që ishin të pakënaqur me gjendjen ekonomike. Dhe historia imperiale që ai shkaktoi në media solli fashitjen e lëvizjes së protestave. Dhe u kthye përgjithësisht në një lëvizje disidente”.

Zoti Nemtsov thotë se marshimi i paqes mund të ndihmojë në rigjallërimin e lëvizjes së opozitës.

“Për t’ua shpjeguar pikëpamjet tona njerëzve, ne duhet të përdorim të vetmen mundësi: Facebook-un dhe rrjetet e tjera sociale dhe disa organe të tjera mediash të pavarura që janë ende funksionale”.

Por zoti Nemtsov, që është gjithashtu këshilltar i udhëheqësve ukrainas, thotë se një paqe afatgjatë nuk varet vetëm nga Rusia, ndërsa Kievi ka nevojë të ndërmarrë reforma të vështira për të çrrënjosur korrupsionin.

XS
SM
MD
LG