Lidhje

Rusia anulon projektin e gazsjellësit jugor


Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska do të anulojë ndërtimin e gazsjellësit duke fajësuar Bashkimin Evropian.

Moska po heq dorë nga një projekt miliarda dollarësh për një gazsjellës për Evropën jugore, duke favorizuar shtimin e furnizimit me gaz të Turqisë. Gazjellësi u bë viktima e fundit e Luftës së re të Ftohtë mes Perëndimit dhe Rusisë, shkaktuar nga ndërhyrja e kësaj të fundit në Ukrainë.

Gjatë një vizite në kryeqytetin turk Ankara, Presidenti rus Vladimir Putin tha dje se kundërshtimet e Bashkimit Evropian ndaj gazsjellësit jugor e kanë detyruar Rusinë që ta drejtojë vëmendjen në zona të tjera.

“Mendoj se qëndrimi i Bashkimit Evropian për këtë çështje ka qenë negativ. Ata jo vetëm që nuk ndihmuan për ta realizuar këtë projekt, por e bllokuan atë. Nëse Evropa nuk do që ta realizojë, atëherë ne heqim dorë prej tij”.

Pas bisedimeve me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, zoti Putin tha se Rusia do të shtojë furnizimin me gaz të Turqisë me një gazsjellës ekzistues. Ai tha gjithashtu se Moska do të punojë për të krijuar një gazsjellës të ri për në Turqi, nën Detin e Zi.

Sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse Alexander Lukashevich, u shpreh edhe më hapur.

“Nuk mund t’i detyrosh njerëzit të të pëlqejnë. Do të gjejmë mënyra të tjera për të realizuar planet për të furnizuar vende të tjera me naftë”.

Fitorja dipomatike e Bashkimit Evropian për ta detyruar Kremlinin të anullojë projektin, shkakton edhe probleme për Brukselin që duhet të gjejë një burim alternativ për të siguruar gaz për Evropën juglindore.

Megjithëse politikisht u bë një projekt toksik, gazsjellësi do të kishte qenë i dobishëm për vende si Serbia, Bullgaria dhe Hungaria sepse nuk kalonte nga Ukraina dhe kishte më pak shanse për ndërprerje.

Bashkimi Evropian tha sot se në formën aktuale gazsjellësi i jugut shkelte rregullat e saj. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se një diskutim i BE-së për këtë gazjellës do të mbahet më 9 dhjetor siç ishte parashikuar. Ajo e vori theksin tek nevoja për burime alternative.

“Vendimi i Rusisë tregon se është urgjente jo vetëm që të kemi alternativa për rrugët e sjelljes së gazit, por edhe burimet e energjisë për Bashkimin Evropian”.

Ka pasur disa ide që janë hedhur për burime alternatike për Evropën juglindore por asnjëra nuk ishte aq pranë realizimit sa gazsjellësi rus, një situatë që krijon pasiguri për disa vjet për këto vende.

Turqia është blerësi i dytë më i madh i gazit natyror rus pas Gjermanisë. Rreth 60 për qind e importeve të gazit natyror të Turqisë vjen nga Rusia, që do të ndërtojë edhe kompleksin e parë bërthamor të Turqisë.

Megjithatë dy vendet kanë mospajtime të thella përsa i takon politikës së jashtme, për çështje si lufta civile në Siri dhe aneksimi i Krimesë nga Rusia.

Anulimi i projektit – shqetëson Serbinë

Ndonëse autoritetet serbe ende presin njoftime zyrtare për vendimin rus për ndërprerjen e ndërtimit të gazsjellësit jugor, ekspertët në Beograd thonë se ky vendim do të dëmtojë Serbinë.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandërr Vuçiç, e cilësoi lajm të keq për Serbinë, por sipas tij “qytetarët nuk duhet të brengosen për furnizimet me gaz”.

Ai u tha medieve serbe se “Serbia nuk i ka kontribuar assesi këtij vendimi. Shtatë vjet ka investuar në këtë projekt, por po paguan çmimin e konflikteve të mëdha”.

Ndërsa, ekspertë politik dhe ekonomik serbë thonë se ndërprerja e projektit do të ushtrojë ndikim në politikën serbe dhe se Serbia do të mbetet pa alternativë të furnizimit me gaz.

Serbia është vënë në mes të synimeve për integrimet në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore.

XS
SM
MD
LG