Lidhje

Paul Ryan, kritika të ashpra për presidentin Obama


Ai pranoi zyrtarisht emërimin duke iu bashkuar kandidatit për president Mitt Romney

Kandidati republikan për nënpresident, Paul Ryan foli mbrëmë në kuvendin e Partisë Republikane duke i drejtuar kritika të ashpra Presidentit Barack Obama. Zoti Ryan pranoi zyrtarisht emërimin duke iu bashkuar kandidatit për president Mitt Romney në dyshen që do të përballet me kandidatët e Partisë Demokrate për zgjedhjet e nëntorit.

Shumë amerikanë patën rastin mbrëmë ta njohin më mirë kongresmeninin Paul Ryan nga shteti Wisconsin, i cili pranoi emërimin për nënpresident në një fjalim që u transmetua me televizion në të gjithë vendin.

“E pranoj detyrën për ndihmuar që vendi të dalë nga kriza e punësimit për t’u kthyer përsëri në begati.”

Kryetari i Komisionit të Buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve, pak i njohur deri para dy javësh, e përdori fjalimin për të kritikuar politikat ekonomike të Presidentit Obama.

“Ata që mbarojnë studimet nuk ka pse t’i kalojnë vitet në dhomat ku kanë banuar kur kanë qenë fëmijë duke ua ngulur sytë posterave të zverdhura të Obamës dhe duke pyetur veten se kur do të gjejnë punë.”

42-vjeçari Ryan hodhi një shaka për zotin Romney, duke thënë se ata të dy kanë një brez diferencë mes tyre.

“E kam fjalën për këngët në iPodin e tij që unë i dëgjoj në autobusin e fushatës ose në ashensorët e hoteleve,” tha zoti Ryan.

Ai foli edhe për bashkëshorten e tij, tre fëmijët dhe nënën, duke thënë se familja e tij është mbështetur te sistemi shëndetësor qeveritar për të moshuarit, i quajtur Medicare, që zoti Ryan propozon ta reformojë gjë që ka ngjallur kundërshtime nga demokratët.

Megjithëse zoti Ryan mori duartrokitjet e audiencës në sallën e kuvendit, ai nuk foli për një çështje me rëndësi për një grup shumë më të vogël njerëzish, që morën pjesë në një shfaqje filmi kundër abortit pranë ndërtesës së kuvendit.

Disa delegatë dëshironin të dëgjonin një mesazh të fortë nga kandidati i tyre për nënpresident lidhur me abortin dhe jo të heshtin për çështje të tilla sociale.

Sfida për dyshen Romney-Ryan është që të kënaqin bazën konservatore të partisë por pa armiqësuar votuesit e pavendosur që kanë pikëpamje të moderuara.

XS
SM
MD
LG