Lidhje

Ryan: Axhendë ambicioze legjislative


Kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi Paul Ryan thotë se republikanët, të cilët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit, janë treguar tepër të rezervuar në politika. Ai premtoi një qëndrim më të vendosur për të zgjidhur problemet e vendit. Paul Ryan, i cili mori shumicën dërrmuese të votave nga ligjvënësit javën e kaluar, tha dje se është e pamundur të diskutohet një zgjidhje gjithë-përfshirëse për problemin e imigracionit për sa kohë që Presidenti Obama është në detyrë.

45-vjeçari Ryan, ligjvënësi më i ri në moshë që zgjidhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në 100 vjetët e fundit, thotë se zgjedhja e tij përfaqëson një ditë të re dhe premton shkëputjen nga e kaluara duke ofruar katër përparësi:

"Numër një: do ta vëmë Dhomën e Përfaqësuesve përsëri në punë siç duhet, siç e kishin menduar ata që themeluan kombin, pra do të kemi një proces të hapur. Numër dy: mendoj se ka shumë rëndësi të gjejmë gjuhën e përbashkët aty ku është e mundur për të çuar përpara interesat e vendit, por pa kompromentuar parimet. Numër tre: duhet të jemi një parti opozitare më efektive. Nuk na pëlqen kahja që ka marrë vendi. Nuk na pëlqen rruga nga po e çon presidenti vendin. Prandaj duhet të jemi një parti efektive, por ajo që është më e rëndësishmja, pika katër: duhet të jemi një parti propozimesh. Nëse nuk na pëlqejnë ato që po ndodhin, kemi për detyrë para vendit, para zgjedhësve të dalim me një axhendë të qartë dhe të guximshme, me një vizion se si mund të zgjidhen gjërat ndryshe”.

Zoti Ryan thotë se shumë amerikanë po ngelin prapa ekonomikisht, 46 milionë vetë jetojnë në varfëri. Ai u shpreh se politika e jashtme është në gjendje të tmerrshme. Por zoti Ryan tha se nuk mund të lejonte përparim në çështjen e imigracionit, pasi presidenti e ka dëshmuar se nuk mund t’i zihet besë në këtë çështje:

"Ai u përpoq të anashkalonte Kongresin me një urdhër ekzekutiv, duke i shkruar vetë ligjet. Presidentët nuk bëjnë ligje; Kongresi nxjerr ligje. Prandaj mendoj se nuk duhet dhe nuk do të paraqesim projekt-ligj për imigracionin me një president të cilit nuk mund t’i zëmë besë. Nëse kemi konsensus mbi tema si kontrolli i kufijve dhe siguria brenda vendit, dakord”.

Një vit më parë, Presidenti Obama nxori një urdhër ekzekutiv në bazë të të cilit miliona njerëz që ndodheshin në Shtetet e Bashkuara pa dokumentacion të rregullt prej të paktën pesë vjetësh, të cilët kishin fëmijë me shtetësi amerikane apo leje banimi të përhershëm, mund të merrnin leje pune tre-vjeçare. Po ashtu urdhëri ekzekutiv u jepte personave që kishin ardhur në moshë të mitur para 2010 mundësinë të siguronin qëndrim me amnisti. Por zbatimi i plotë i urdhërit u bllokua në një gjykatë federale dhe po apelohet aktualisht.

Zoti Ryan beson se Kongresi duhet të paraqesë propozime për reforma fiskale dhe në sistemin shëndetësor, për mënyrat për të luftuar shkaqet e varfërisë dhe për të nxitur rritje ekonomike. Atij iu drejtua pyetja nëse ka në plan ta bëjë publik tekstin e marrëveshjes për tregti të lirë Partneriteti Trans-Paqësor.

"Ligji për nxitjen e tregtisë, në të cilin unë isha bashkautor, kërkon që kjo marrëveshje të bëhet publike për të gjithë amerikanët. Kur teksti t’i vijë Kongresit, duhet të bëhet publik për të paktën 60 ditë. Pra ligji kërkon që dokumenti të lexohet nga qytetarët”.

Zoti Ryan thotë se u zgjodh për të bashkuar republikanët dhe ka në plan të veprojë duke udhëhequr me konsensus dhe jo me diktat.

Ligjvënësi nga Uiskonsin thotë se republikanët përplasen për taktikat, pasi nuk kanë një vizion alternativ. Ai thotë se nëse zgjidhet një republikan në Shtëpinë e Bardhë, dhe nëse republikanët ruajnë shumicën në Kongres pas zgjedhjeve të nëntorit 2016, ata do t’u tregojnë votuesve se si zgjidhen problemet e mprehta të vendit.

XS
SM
MD
LG