Lidhje

Tiranë, hetime mbi përgjimin e ministrit Tahiri


Prokuroria e Përgjithshme nisi sot në Tiranë hetimet për pajisjen e përgjimit, të gjetur dy javë më parë në zyrën e ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Hetuesit morën në pyetje sekretaren e ministrit, si personi, që vuri re pajisjen përgjuese pranë grirëses së letrave.

Sipas burimeve nga organet hetimore, sekretarja dorëzoi në prokurori, kur u mor në pyetje, listat e personave që kanë hyrë në atë zyrë për një periudhë të pacaktuar.

Pajisja është gjetur e fikur dhe me bateri të mbaruar, por, sipas hetuesve dhe ekspertëve, ajo ka qenë e ndezur dhe aktive për të paktan dy javë në vendin ku u gjet nga sekretarja.

Mbi të janë gjetur edhe gjurmë gishtash, të cilat policia shkencore po i krahason me ato të antarëve të stafit dhe personave që kanë hyrë në zyrën e ministrit muajt e fundit.

Pas sekretares, prokuroria pritet të marrë në pyetje edhe persona të tjerë, të cilët hyjnë në atë zyrë, sepse personi që kanë vendosur përgjuesin dyshohet të jetë punonjës i ministrisë.

Administrata e ministrisë së brendshme është vendosur përkohësisht në mjediset e Gardës së Republikës, sepse ndërtesa e Ministrisë së Brendshme po rindërtohet.

Pak ditë më parë një tjetër debat mbi përgjimet u ndez në Tiranë për shkak të një pajisjeje, që solli policia italiane. Ata dhe policët shqiptarë pohuan se pajisja ishte një mjet për të demonstruar trajnimet profesionale dhe nuk bënte përgjime.

Por presidenti Bujar Nishani dhe politikanë të tjerë të opozitës shprehën shqetësim për përgjime të paligjshme.

XS
SM
MD
LG