Lidhje

Qeveria miratoi reformë të thellë në polici


Drejtori i përgjithshëm Hysni Burgaj dha dorëheqjen për një detyrë tjetër dhe drejtori i ri u emërua Artan Didi.

Ministri i punëve të brendshme, Saimir Tahiri, bëri të ditur se ka larguar nga ministria 556 fuknsionarë policie, ose dy të tretat e tyre, duke i dërguar me detyra operacionale në ndihmë të qytetarëve në terren. Ministri Tahiri deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se një reformë e thellë strukturore po kryhet në forcat e rendit, ndaj nga 811 funksionarë të policisë në ministrinë e brendshme sot mbeten 255 funksionarë dhe teprica zbresin në nivelin e drejtorive të qarkut dhe komisariateve. Drejtori i përgjithshëm Hysni Burgaj dha dorëheqjen për një detyrë tjetër dhe drejtori i ri u emërua Artan Didi.

Qeveria nënshkroi strukturën e re policiore të vendit bazuar në kritere demografike, profesionale dhe studimin e situatës kriminale të vendit, me synimin që të forcohet roli i inspektorit të policisë pranë komunitetit. Zoti Tahiri tha se ata që largohen nga ministria dhe drejtoria e përgjithshme kanë marrë detyra në terren, duke forcuar komisariatet pranë qytetarëve. Ai tha se mjaft nga drejtuesit e policisë në qarqe u zëvendësuan me drejtorë të rinj me shpresën se kjo do t'i japë një shtytje të re luftës kundër kriminalitetit. Ministri Tahiri tha se shkelësit e ligjit janë në minorancë përballë qytetarëve dhe policëve, të cilët janë më të shumtë. Po ashtu u vendos edhe shkrirja e policisë rrugore si njësi më vete, duke i shpërndarë rojet e trafikut rrugor pranë komisariateve.


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu shqetësimin e opozitës për shkarkimet dhe emërimet në krye të forcave të rendit. Sipas tij, qeveria po zhbën pa transparencë gjithçka të realizuar më parë. Ndërsa ish-ministri i brendshëm i qeverisë Berisha, Sokol Olldashi tha për mediat se shkarkimet e drejtuesve policorë janë abuzive, ndërsa emërimet janë bërë në shkelje të ligjit për policinë e shtetit.

Qeveria krijoi në mbledhjen e djeshme edhe një njësi të re për mbrojtjen e mjedisit dhe rehabilitimin e territorit. Kjo njësi përbëhet nga pesë ministra; ministri i brendshëm, i zhvillimit urban dhe turizmit, ministri i transportit dhe infrastrukturës, i kulturës dhe i mbrojtjes, si dhe disa agjenci shtetërore. Të gjithë së bashku do të kryejnë ndërhyrje të shpejta dhe studime, në bashkëpunim me pushtetin vendor për të mbrojtur mjedisin dhe territorin nga veprimtaritë e ligjshme.

XS
SM
MD
LG