Lidhje

Shqipëria shton masat e sigurisë ndaj terrorizmit


Forcat shqiptare të rendit publik kanë marrë një seri masash për të mbrojtur qytetarët goditje të mundshme terroriste.

Ministri i brendshëm Saimir Tahiri tha sot se Shqipëria nuk është e imunizuar nga terrorizmi, ndaj po merren masa të shumta, shpesh të dukshme në sheshe dhe të padukshme për të rritur shkallën e sigurisë.

Ministri Tahiri i bëri këto komente pasi doli nga një raport i gjatë mbi këto shërbime shtesë para komisionit parlamentar të rendit dhe sigurisë.

Pas atentateve tragjike në Paris, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, mblodhi në fundjavë në Këshilin Kombëtar të Sigurisë autoritetet më të larta shtetërore shqiptare dhe drejtuesit e institucioneve të sigurisë.

Në takim morën pjesë kryeministri me ministrat e jashtëm e të brendshëm, financave dhe energjië, transporteve dhe drejtësisë, shefat e ushtrisë dhe të shërbimit sekret.

Shqipëria po bashkërendon përpjekjet me shtetet dhe agjencitë partnere për të shmangur rreziqet e terrorizmit.

Pas sulmeve terroriste në Paris, edhe në Shqipëri u rrit menjëherë niveli i sigurisë, me kontrolle të përforcuara në rrugë, institucione dhe në pikat kufitare.

Janë afër 140 shqiptarë të cilët mendohet se kanë shkuar në Siri për të luftuar në krah të ISIS-it.

Afro 40 prej tyre janë kthyer. Policia po mban nën mbikqyrje personat që paraqesin rrezik.

Masat u shtuan veçanërisht në kryeqytet, ku u vu re një prani më e madhe e forcave të sigurisë pranë godinave qeveritare, qendrave tregtare dhe në rrugë, ku njësitë e policisë po lëvizin të armatosura.

Shqipëria iu bashkua që në fillim koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG